Në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova më 3 shkurt ka caktuar Panelin e Gjykatës së Apelit.
Bazuar në Rregullore, personat që dorëzojnë kërkesë për të marrë pjesë në proces si viktima pjesëmarrëse dhe u është rrëzuar kërkesa, kanë të drejtë ta apelojnë vendimin.
Paneli i Gjykatës së Apelit përbëhet nga gjykatësit Mishelë Pikar, Emilio Gati dhe Kai Ambos.
Paneli ka miratuar kërkesën e Mbrojtësit për zgjatjen e afatit për dorëzimin e apelit të përbashkët për të gjithë grupin e personave që u është refuzuar kërkesa, pasi kjo do ta përshpejtonte procesin.
Paneli caktoi si afat për apelin, 15 shkurtin ose shtatë ditë pasi parashtruesit e refuzuar të jenë njoftuar për vendimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake, cilado datë që është e mëvonshme.
Konferenca përgatitore për Prokurorinë në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për datën 15 shkurt, në orën 9:30.