Aktivisti i VV-së, Avni Zogiani, ka kritikuar analistin Dukagjin Gorani për bindjet e tij politike.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Gorani ka një karizmë që rrallëkush e ka në Kosovë, por, sipas tij, ai nuk ka bindje politike.
“Me Dukagjin Goranin kam punuar plotë 8 vite. E njof relativisht mirë. Ai ka qenë gjithmonë i shkathët në paraqitje dhe ka njëfarë karizme që rrallëkush e ka në Kosovë. Mirëpo, ajo që gjithmonë më ka rënë në sy ka qenë fakti se ai nuk ka bindje politike. Nuk ka besim, sidomos tek shoqëria që i takon. Ai gjithmonë ka folur me përçmim e mosbesim për çkado që është “e vendit”, dhe ka idealizuar e tejvlerësuar gjithçka që është e huaja”, ka shkruar Zogiani.
Më tej, ai ka shkruar se Gorani e ka fort për qejf injorancën në politikë.
“Në paraqitjet e tij nëpër debate, Dukagjini është besnik i vetëm një argumenti. “Ne nuk mundemi; ne nuk dijmë; ne duhet veç të dëgjojmë tjerët (kryesisht amerikanët)”. Mund ta respektoja ktë qëndrim, por madje as këtë ai nuk e ka bindje. Dukagjini e ka fort për qejf injorancën në politikë dhe bashkëpunimet e tij “më të ndritshme” i ka pikërisht me politikanë që thonë “ndale kamerën” kur pyeten për librin e fundit që kanë lexuar. Ky është ambienti ideal i Dukagjinit, sepse në këtë ambient ai impresionon. Me një stil të jashtëzakonshëm ktë lloj të politikanit ai e lë gojëhapur. Shkathtësia e tij për ta trullosur këtë lloj audience e bën atë të ndihet si në skena teatri. Ekzagjëron, hiperbolizon, hipnotizon”, ka shkruar Zogiani.