AAK thotë se ShBA nuk ka qenë kurrë më e angazhuar në mbështetje të Kosovës

Aktuale

AAK thotë se ShBA nuk ka qenë kurrë më e angazhuar në mbështetje të Kosovës

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 12:51
Besnik Tahiri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë qenë më të angazhuara në mbështetje të Kosovës, përfshirë këtu dialogun dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Gjatë një konference për medie, Tahiri tha se në çdo takim zyrtar që Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mbajtur në Washington, është treguar vendosmëria e ShBA-ve karshi Kosovës.

“E shoh shumë të rëndësishme, ta informojë opinionin publik se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë qenë më të angazhuar në mbështetje të Kosovës, në mbështetje të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, në mënyrë që një herë e përgjithmonë Kosova ta marrë një drejtim të sigurt. Vendosmëria e tyre është treguar në secilin takim që ka mbajtur Haradinaj në Washington”, deklaroi Tahiri.

Derisa shtoi se populli i Kosovës dhe Qeveria, duhet ta dinë se roli i ShBA-ve është jetik dhe me angazhim konkret, përcjell teve1.info.

“Këto kohë duhet të kemi një angazhim serioz i cili është në funksion të kësaj agjende”, shtoi tutje Tahiri.

Njëkohësisht, deputeti i AAK-së, përmendi disa takime të rëndësishme që Haradinaj ka mbajtur në Washington, derisa theksoi se e tërë kjo u bë me qëllim për ta ndihmuar dhe shtyrë përpara agjendën e Kosovës.

“Kryetari Haradinaj ka pasur takime në departamentin e shtetit me Escobar. Pastaj, ka pasur takime në Kongresin Amerikan , ka pasur takime në Senat. Ka marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të mbi 90 vende të botës, kryeministra, ministra e deputetë të ndryshëm. Kjo ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për ta përçuar zërin e Kosovës atje. Njëkohësisht, dy takime tepër të rëndësishme, njëri në Pentagon, ku kryetari Haradinaj është takuar me drejtorin kryesor të Departamentit të Mbrojtjes në Evropë, Andrew Eisensmith, ku kanë diskutuar rreth rolit të Amerikës kryesisht në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit. Po ashtu një takim tepër i rëndësishëm ka qenë me Drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adi Muzuroviç. E tërë kjo me qëllimin e vetëm për të ndihmuar dhe për të shtyrë përpara agjendën e Kosovës në Washington.”, theksoi më tej Tahiri.

Derisa në përmbyllje të konferencës, Tahiri tha se porositë nga takimet e mbajtura në Washington, ishin shumë të qarta, prandaj sipas tij, Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Roli i Aleancës edhe tash edhe gjatë qëndrimit në Amerikë, për temën e dialogut dhe arritjes së marrëveshjes, është konstruktiv dhe transparent”, deklaroi Tahiri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat