Haxhiu i reagon LDK-së: Përmes njerëzve në sistem kanë montuar procese politike ndaj VV-së

Aktuale

Haxhiu i reagon LDK-së: Përmes njerëzve në sistem kanë montuar procese politike ndaj VV-së

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 14:12
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se prokurorët duhet ta ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekja politike sikurse kanë bërë tash e 7 vjet, duke përmendur rastin e saj për hedhje të gazit lotsjellës.

Ajo në një reagim pas kritikave që mori për deklaratën  saj ku i  kërkoi prokurorit të tërhiqej nga rasti ku ajo është akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend para shtatë vjetësh, ka thënë se deklarata e saj është në të drejtën që ia njeh legjislacioni në fuqi.

Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi. Thirrja ime e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se prokurorët e gjyqtarët do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, e sot sipas saj mbajnë konferenca që dikur përmes njerëzve të tyre në sistem kanë montuar procese politike e gjykime ndaj VV-së.

“Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Kritika ime është e zëshme dhe e hapur. Jam përjetësisht e hapur për të dëgjuar kritikat e opozitës apo kujtdo tjetër, por në mungesë të tyre, opozita kujdestaron ndaj çdo fjale timen, vetëm sa për të krijuar një situatë, për të  shprehur mllef”, ka shkruar ajo.

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka kërkuar shkarkimin ose dorëheqjen e Haxhiut pas deklaratës së bërë në seancë ndaj prokurorit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat