Edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës Anton Quni, ka reaguar për deklaratën e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, e cila i ka kërkuar prokurorit Ilaz Beqiri “të dorëzohet”, nëse nuk ka prova ndaj saj në procesin gjyqësor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Quni ka kërkuar nga prokurori që të “mos dorëzohet”, pasi sipas tij, “po u nënshtrua”, ai do ta “humbë lirinë”, përcjell Bota sot.
“Mos u dorëzo!
Shtegu i dorëzimit është shtegu i nënshtrimit. Po u nënshtrove, e ke humb lirinë.
Liria mbrohet duke bërë çka është e drejtë, e jo çka është e lehtë”, ka shkruar deputeti Quni, në një postim në Facebook.
Në seancën e fundit gjyqësore, ministrja Haxhiu ka thënë se nuk është vonë për prokurorin që të tërhiqet tani në procesin ku ajo dhe deputetët tjerë, akuzohen se për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Deklarata e Haxhiut ka nxitur reagime të ashpra, madje opozita ka kërkuar edhe dorëheqjen e saj.
Reagim për këtë pati edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës./Botasot