Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli ka akuzuar partitë opozitare se në kohën sa kanë qeverisur me vendin, kanë lëshuar ‘pe’, për marrëveshjet e arritura deri më tani me Serbinë, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Pacolli në Prime Time tha se kryeministri, Albin Kurti me pranimin e planit evropian si bazë e mirë e dialogut të mëtejm, nuk lëshoi pe, pasi që nuk është arritur ende asnjë marrëveshje me Serbinë për zbatimin e Asociacionit, shkruan Gazeta10.
“Është plan i mirë për të diskutuar dhe për të filluar dialogun. Kryeministri Kurti nuk ka lëshu pe, sepse nuk është arritur asnjë marrëveshje me Serbinë për Asociacionin. Kur ne i kemi thënë opozitës, se keni lëshu pe, ka qenë për fusnotën, fillimin e dialogut sepse mënyra sesi ka filuar dhe ka ecur nëpër faza ka treguar qartë se cili do të epilogu i këtij dialogu. Dhe, ne jemi tani ku jemi, për shkak të një dialogimi të keq që është bërë për shkak të qeverive të kaluara. Kanë lëshu pe me fusnotën, demarkacionin, me marrëveshjet që i kanë nënshkruar me Serbinë, kanë bërë konsensione të dhimbshme me Kosovën”, tha deputetja Pacolli.
Ajo ka theksuar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim për themelimin e Asociaiconit, dhe si për të tani kryeministri, Kurti ka paraqitur gjashtë kërkesat e tij.