Komandanti i kontingjentit të FSK-së pas shpëtimit të dy personave nga rrënojat: Njëri është fëmijë

Aktuale

Komandanti i kontingjentit të FSK-së pas shpëtimit të dy personave nga rrënojat: Njëri është fëmijë

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 11:29
Komandanti i kontingjentit të FSK-së në Kosovë, Egzon Syla

Komandanti i kontingjentit të FSK-së në Kosovë, Egzon Syla, deklaroi se ekipet kosovare kanë nxjerrë të gjallë dy persona që ndodheshin nën rrënoja në Turqi.

Syla u shpreh se operacioni i shpëtimit u krye në një godinë 7-katëshe, e cila ishte shembur tërësisht si pasojë e lëkundjeve të tërmetit.

Sipas tij, njëri ka qenë i moshës madhore ndërsa, një tjetër ka qenë një fëmijë i vogël.

“Me pajisjet tona të dëgjimit, me kamera dhe pajisje të tjera, kemi arritur të identifikojmë dy persona gjallë nën rrënoja. Ka qenë një pallat 7-katësh dhe në katin e parë kemi identifikuar dy zëra, njëri i moshës madhore dhe tjetri një fëmijë i vogël. E gjithë ndërtesa ka qenë e rrënuar aty. Katet kanë qenë pothuajse të palosura me njëri-tjetrin. Ka qenë një katastrofë”, theksoi ai.

Numri i vdekjeve nga tërmeti në Turqi dhe Siri i ka kaluar 37 mijë, teksa shpresat janë drejt fundit për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë.

Të paktën 31,643 njerëz kanë vdekur në juglindje të vendit, sipas autoritetit turk të menaxhimit të fatkeqësive, AFAD.

Më shumë se 4,400 njerëz kanë vdekur në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët, sipas agjencisë së ndihmës së OKB-së, OCHA.

Të paktën 1,414 njerëz kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga forcat e al-Assad, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Ndonëse plagët e tërmeteve në Siri dhe Turqi janë ende të pambyllura dhe numri viktimave vijon të rritet nga ora në orë, rimëkëmbja e qyteteve të rrafshura është një sfidë tjetër për qeverinë dhe autoritetet turke.

Në një vlerësim paraprak të Konfederatës Turke të Ndërmarrjeve dhe Biznesit, tërmetet shkatërruese do t’i kushtojnë plot mbi 75 miliardë euro, një shifër kjo e paimagjinueshme të përballohet e vetme.

Sipas të dhënave zyrtare, 10 provincat e shkatërruara përbëjnë 15% të popullsisë së Turqisë dhe prodhojnë 10% të PBB-së së saj.

Konfederata vlerëson se më shumë se 60.3 miliardë euro do të nevojiten për riparimin dhe rindërtimin e shtëpive dhe infrastrukturës.

Presidenti Tajip Erdogan premtoi gjatë një vizite në zonat e dëmtuara se do të rindërtojë të gjitha shtëpitë brenda një viti, por fillimisht do të përballet me koston e strehimit të mijëra personave të mbetur pa shtëpi.

Aktualisht, një pjesë e mirë e personave që kanë mbetur pa një strehë mbi kokë janë dërguar në hotele në zonat turistike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat