Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka thënë se disa ndryshime që janë bërë në menaxhimin e policisë në pjesën veriore janë lajme shumë të mira.
“Komandant i Policisë pak para se me u nënshkru marrëveshja e 2013 u pat vendos Nenad Gjuriqi. Nenad Gjuriqi ka qenë një prej atyre figurave, vëllau i tij ka qenë i njohur për zullum ndaj shqiptarëve, por ajo që është e rëndësishme që më pati bërë përshtypje në 2010, ai dilte haptazi thohte nuk e pranoj Qeverinë e Kosovës. Ai u pati bërë komandant. Tash janë bërë disa ndryshime. Radojiçiqi, Zvonko Veselinoviqi, Nenad Gjuriqi, tri figura kryesore, por edhe Boiqi nuk është më”, ka thënë Muja.
Sipas tij ka edhe siguri dhe institucione komunale funksionale në atë pjesë të vendit.
“Opozita nuk ka informacion çka po ngjet në veri. Stacione të policisë në veri ka pas në Kosovë, ka pas në Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut e Zveçan. E dyta është nuk është e vërtetë që nuk ka institucione komunale. Në rastin e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut vazhdojnë institucionet komunale dhe kryesuesit ekzistojnë. Institucionet që ushtrojnë funksione të deleguara p.sh Ministria e Financave, pensionet etj ato funksionojnë edhe policia është rreth e qark doganave dhe kufirit të Kosovës”, ka deklaruar Muja.
Deputeti i pushtetit shton se asnjëherë nuk ka pasur më shumë rend e ligj se tash në veri.
“A ka pasë, a ka ligj qysh kam qejf unë, jo. Por a ka më së shumti ligj që ka pasur ndonjëhere e rend më në veri, është pikërisht tash”, ka shtuar ai.