Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka ndarë medaljen e artë për guxim “Millosh Kopiliqi” (Milosh Obiliq) edhe ish-policit Dejan Pantiq, i akuzuar për terrorizëm në Kosovë.
Pantiqi me shumë ish-zyrtarë tjerë të komunitetit serb në Kosovë kishin dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në fillim të muajit nëntor.
Aktualisht, Pantiqi është në arrest shtëpiak përkundër që ndaj tij rëndojnë akuza të rënda për terrorizëm.
Në vend të tij, çmimin e pranoi i biri i Dejanit, Predragu, që u shpreh shumë i lumtur.
“Ky çmim nga shteti, nga presidenti, është një nder i madh edhe për babain, edhe për ne si familje.” – u shpreh Predrag Pantiq, përcjell Kosovo-Online.
Ai më pas vazhdoi duke akuzuar shtetin e Kosovës që nuk i kishte lejuar ta vizitonin gjatë kohës sa ai ishte në paraburgim.