Politologia, Arta Tahiri-Beqa duke folur për dialogun me Serbinë tha se kompromis i dhimbshëm për Kosovën do të jetë nëse themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Ajo tha se në atë rast brenda Kosovës do të bëhej një Zajednicë, si e quante Vetëvendosja Asociacionin në kohën kur kjo parti ishte në opozitë.
Madje Tahiri vlerëson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë format përfundimtar.
“Kompromis i dhimbshëm për Kosovën do të jetë nëse themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. Me të vërtetë do të bëhet një Zajednicë brenda Kosovës. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë një format përfundimtar. Mbase në këtë fazë do të jetë një lloj normalizimi. E para është se Kosova pothuajse është në prag të pranimit të saj në Këshillin e Përgjithshëm. Përfitim tjetër Kosova do të ketë nëse normalizon marrëdhëniet me Serbinë, pasi në këtë mënyrë mund t’i japin statusin kandidat për të qenë pjesë e BE-së. Do të ishte edhe një përfitim i mirë në qoftë se do i premtohej Kosovës anëtarësimi në NATO”, deklaroi Tahiri.
Njëherit, Tahiri rekomandoi që të gjithë ata individë që janë të involvuar në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ta kenë primare që gjithçka të jetë e shkruar dhe ligjore.
Ndërkaq, e pyetur se çfarë letra të shkruara mund të priten nga presidenti i ShBA-së Joe Biden dhe Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, në urimin e pavarësisë së Kosovës, Tahiri vlerësoi se sigurisht do të jenë deklarata pozitive.
“Fatmirësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi pasur gjithmonë mbështetje të hapur dhe në favor të Kosovës”, shtoi tutje ajo.
Po ashtu, Tahiri shtoi se Qeveria Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe institucionet e Kosovës, janë duke punuar vazhdimisht për t’i arritur qëllimet të cilat i kanë shpalosur gjatë fushatave të tyre zgjedhore.