Begaj në Kosovë: Shqipëria do të jetë gjithmonë krah jush!

Aktuale

Begaj në Kosovë: Shqipëria do të jetë gjithmonë krah jush!

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 12:28 më 16.02.2023
Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani

Begaj: Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u prit sot në Prishtinë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të cilën e uroi në emër të të gjithë shqiptarëve për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. “15 vite janë shumë pak për një komb, e për më tepër për një komb të lashtë. Por këto 15 vite Pavarësi të Kosovës kanë demonstruar në mënyrë shembullore e të sintetizuar vlerat më të mira e shumë shekullore të kombit shqiptar”

Presidenti Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe i konsideroi ato jo vetëm vëllazërore e të natyrës strategjike, por dhe shumë dinamike, të demonstruar përmes vullnetit të përbashkët për t‘i intensifikuar më tej.

Duke i vlerësuar këto marrëdhënie unikale për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qendrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të dy shteteve, Presidenti Begaj u shpreh se: “Kosova e Pavarur i ka dhënë jo vetëm shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin tonë më të paqtë e të sigurt, si dhe kombin shqiptar të lirë të rigjejë rrugën e munguar padrejtësisht të bashkëpunimit kombëtar”.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj ia kushtoi kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë e rajonit, por jo vetëm, duke nënvizuar se “Kosova rrezaton sot vlerat më të larta perëndimore e demokratike në mbrojtje të pakicave etnike e të drejtat e njeriut, si dhe pavarësisht se një shtet i ri, po tregon humanizëm e solidaritet të plotë për Ukrainën dhe popullin e saj të agresuar ushtarakisht nga Rusia”.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për autoritetet dhe institucionet e Kosovës në adresimin e provokimeve e sfidave me të cilat po përballen, si në kuadër të negociatave me Serbinë, ashtu edhe në kuadër të procesit të njohjes dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale. “Askush nuk mund ta pengojë Kosovën të ndërtojë e lirë dhe e pavarur të ardhmen e saj dhe të qytetarëve të saj, si dhe askush nuk mund të kërcënojë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës!” – nënvizoi Presidenti Begaj.

Ndërsa, duke u ndalur në rrugëtimin e evropian dhe euroatlantik të Kosovës, Presidenti Begaj, shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë, si dhe besimin se së shpejti edhe shtetasit e Kosovës, ashtu si të gjithë qytetarët e këtij rajoni, do të mund të udhëtojnë pa viza e me dinjitet në hapësirën e Bashkimit Evropian. “E ardhmja jonë e përbashkët, e dy shteteve tona dhe e kombit shqiptar, është në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si trashëgimi e orientim kombëtar, por edhe si vlerë e kontribut i përbashkët për paqen, sigurinë dhe progresin e rajonit tonë” – u shpreh Presidenti Begaj.

Nga ana e saj, Presidentja Osmani e falënderoi Presidentin Begaj për urimet vëllazërore dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë në të gjithë këtë rrugëtim të vështirë të Pavarësisë së Kosovës.

Omani: Krah njëri-tjetrit në kremtimin e 15 vjetorit të Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadiu ka pritur në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Krah njëri-tjetrit drejt familjes së përbashkët evropiane!’, është shprehur Osmani.

“Krah njëri-tjetrit në kremtimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës! Krah njëri-tjetrit drejt familjes së përbashkët evropiane! Krah njëri-tjetrit gjithnjë! Kosovë-Shqipëri", ka shkruar Osmani në Tweet.

​Begaj pritet me nderime shtetërore

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku fillimisht është pritur me një ceremoni shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas kësaj ceremonie, të dy presidentët shqiptarë do të vazhdojnë takimin.

Ndërkohë, sot Begaj do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, si dhe do të marrë pjesë në koncertin e Filarmonisë së Kosovës, për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ai do të mbajë fjalën e rastit në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë qëndron sot në Kosovë, pritet nga Osmani

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

Lajmin e kanë bërë të ditur Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media.

Begaj do të pritet në takim nga Presidentja Vjosa Osmani, takim ky që parashihet të fillojë prej orës 11:00 në Kabinetin e Presidentes.

Presidenti Bajram Begaj do ta vizitojë Kosovën një ditë para Ditës së Pavarësisë, ndaj kjo parashihet të jetë edhe arsyeja e vizitës.

Ndërkaq, Begaj, vizitën e tij të fundit në Kosovë e kishte bërë në gusht të vitit të kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat