Gjykata Themelore në Prishtinë iu ka ndërprerë të gjitha masat e sigurisë të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Lirimin e të akuzuarve Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, avokati i të akuzurës Arsoviq, Musa Damati.
“Po, e kemi pranu, sot e kemi pranu aktvendimin e veçantë të Gjykatës Themelore, Departamenti Special në Prishtinë, në bazë të cilës është bërë ndërprerja e të gjitha masave të sigurimit të prezencës së të akuzuarve për të gjithë të akuzuarit”, ka thënë avokati Damati.
Sipas avokatit Damati, të gjithë të akuzuarit kanë qenë nën masën e paraqitjes në stacionin policor.
Seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 11 shkurt në vitin 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 prill të njëjtit vit, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.