Bajrami: Kurti po pret ftesë nga ndërkombëtarët, Serbia nuk është e gatshme ta njohë Kosovën

Aktuale

Bajrami: Kurti po pret ftesë nga ndërkombëtarët, Serbia nuk është e gatshme ta njohë Kosovën

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 10:05
Agron Bajrami

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, përmes një opinioni të shkruar në mediumin e njohur ndërkombëtar ‘Politico.eu“, në prag të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka shtjelluar disa tema, duke filluar prej historisë, suksesit dhe sfidat e Kosovës ndër vite, si dhe për propozimin e BE-së, që përmes tij po synohet normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Fillimisht, Bajrami tha se duke parë prapa, është e sigurt të thuhet se Kosova ka zënë vendin e saj në mesin e historive të suksesit të Evropës.

Sipas tij, Kosova e pavarur ka treguar një elasticitet demokratik që rrallëherë krahasohet në Ballkanin Perëndimor.

Ai përmendi mbajtjen e zgjedhjeve të drejta në vend, ndryshimin e qeverive në mënyrë të rregullt, si dhe përparimet e mëdha në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, pa lënë anash rritjen ekonomike dhe reformat në drejtësi, arsim e administratë publike.

Megjithatë, teksa kujtoi periudhën e luftës së fundit në Kosovë, diplomati kosovar shprehet se “shumë do të kujtojnë se në mars 1999, një koalicion ndërkombëtar duhej të ndërhynte ushtarakisht kundër makinerisë serbe të luftës për të ndaluar një gjenocid kundër popullsisë shqiptare të Kosovës”.

“Pasi Serbia kapitulloi dhe u tërhoq, la pas qindra varre masive, mbi 10,000 civilë të vrarë, mijëra gra të përdhunuara sistematikisht, gjysmën e shtëpive të shkatërruara dhe më shumë se gjysmën e popullsisë të dëbuar”, shkroi Bajrami.

Megjithatë, ai u ndal edhe tek çështja e pesëshes mos-njohëse të BE-së ndaj Kosovës.

“Rindërtimi i vendit dhe i jetës së atyre brenda tij ishte një detyrë e frikshme dhe e bën përparimin e Kosovës edhe më mbresëlënës. Dhe për ata që janë të prirur t’u besojnë vetëm syve të tyre, ata thjesht duhet t’i vizitojnë – në fund të fundit, është vetëm një fluturim tre-orësh nga Brukseli. Sot, Kosova do të ishte e panjohshme për këdo që ishte atje pas luftës. Dhe tani, na duhet një epilog evropian”.

“Aktualisht, rreth 60 për qind e anëtarëve të OKB-së e njohin pavarësinë e Kosovës. Por disa, duke përfshirë pesë vende anëtare të BE-së, ende nuk e kanë bërë këtë. Pastaj, është Serbia, e cila saboton shtetësinë tonë me mbështetjen aktive të Rusisë”, shtoi Bajrami.

Ndër të tjera, ai shprehet se “tani, rreziku i përhapjes së luftës në Evropën Juglindore ka alarmuar Perëndimin – veçanërisht pasi Kosova qëndron në mbështetje të vendosur për Ukrainën dhe e bashkuar me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë, por Serbia refuzon ta bëjë këtë, duke vazhduar politikën, ushtarake dhe partneriteti ekonomik me Moskën”.

Kësisoj, ky kontekst shqetësues sipas Bajramit, ka nxitur përpjekjet e ndërkombëtarëve për të arritur një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë.

Për Bajramin, është lajm i mirë që Kosova e ka pranuar këtë kornizë.

“Ky kontekst i ri është shqetësues jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe BE-në dhe duket se ka nxitur përpjekje të reja për të arritur një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve. I paraqitur nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, së bashku me lehtësuesin e tij të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, propozimi për këtë marrëveshje të re kornizë mbështetet nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara dhe pritet të diskutohet së shpejti në Bruksel”, thekson Bajrami.

Ai shprehet se për “ne, kjo do të thotë se marrëveshja përfundimtare duhet të përqendrohet në njohjen reciproke".

“Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kohë që pret një ftesë në këtë takim të nivelit të lartë, dhe shtyrjet dhe vonesat e mëtejshme vetëm sa do ta përkeqësojnë situatën”.

Por megjithatë, Bajrami druan se nuk sheh ndonjë angazhim të qartë për normalizimin nga Serbia. Thekson se Serbia nuk është e gatshme ta pranojë Kosovën si realitet “ashtu siç nuk është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Rusinë”.

“Ekziston gjithashtu një shqetësim se ne nuk shohim të njëjtin angazhim të qartë për normalizimin nga Serbia. Ne e kuptojmë shpresën e BE-së se Beogradi do të vijë dhe do të pajtohet me marrëveshjen, por përvoja jonë na thotë se kjo është një shpresë e rreme. Serbia nuk është e gatshme ta pranojë Kosovën si realitet, ashtu siç nuk është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Rusinë – që do të thotë se Serbia nuk është gati për Evropën”.

Pavarësisht kësaj, Bajrami thotë se Kosova është dhe qëllimi kryesor i ynë “këtu nuk është thjesht njohja reciproke me Serbinë – sytë tanë janë të drejtuar nga anëtarësimi në BE dhe NATO”.

“Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike. Kjo do të thotë se ne duam një marrëveshje me Serbinë. Megjithatë, ne nuk duhet të pengohemi nëse kjo marrëveshje nuk arrihet. Ne kemi nevojë për përparim dhe kemi nevojë për të tani. Dhe që kjo të ndodhë, BE-ja dhe të gjitha vendet anëtare të saj duhet të rriten – NATO gjithashtu”, ka shkruar Bajrami.

“Kosova duhet të avancojë marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n. Ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për të marrë kandidaturën formale për anëtarësim në BE dhe për të filluar integrimin në NATO nuk duhet të mbahet peng për shkak të refuzimit të Serbisë për të ecur përpara. Dhe ata që nuk e kanë njohur ende Kosovën duhet të rimendojnë se çfarë do të thotë ky pozicion për stabilitetin dhe prosperitetin e ardhshëm të Evropës Juglindore dhe zgjerimit të BE-së në tërësi”.

“Sapo të hapen këto dyer, Kosova do të jetë në gjendje të realizojë potencialin e saj të plotë dhe të përfundojë historinë e saj të suksesit – e cila, në mënyrë të pashmangshme, do ta ndihmojë Serbinë të bëjë zgjedhjen për të ecur përpara gjithashtu. Së pari, të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur, pastaj të ndërpriten lidhjet me Rusinë. Apo jo – kjo është zgjedhja e Serbisë. Por Kosova e ka bërë zgjedhjen e saj prej kohësh për të qenë së bashku me Evropën”, përfundon Bajrami.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat