Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas akuzave të deputetit Haki Abazi në lidhje me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Haxhiu tha se i kanë deklaratat në institucionet e Koosvës për ngjarjen në fjalë.
“Unë dhe zëdhënësi im kemi dhënë deklaratat për institucionet e Kosovës për të gjitha informacionet që i kemi” tha Haxhiu.
Haki Abazi në një konferencë për media sot tha se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Ai ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.
Deputeti i VV-së thotë se edhe kryeministri Albin Kurti e Ministrja Haxhiu duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.
“Video incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Pytjet e mia që kam shtruar dhe diskutimet që kam berë, kanë sjellur te shkarkimi dhe anatemimi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor, kundrejt borxhit që kemi me sqaru çka ka ndodh me rastin e Astrit Deharit. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat, dhe Kurti të mos e thotë asnjë fjalë për këtë çështje. Nuk mund të rrim të heshtur përballë një procesi të tillë. Instituti i Mjekësisë ligjore është i monitoruar 24 orë, dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera”, tha Abazi në konferencë para gazetarëve.