Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, të enjten, në konferencë për medie, ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Gjatë konferencës u bë e ditur se në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, dje u mbajt konferenca përgatitore për Prokurorinë, gjatë të cilës Trupi Gjykues u bëri pyetje palëve në lidhje me numrin e dëshmitarëve që Prokuroria synon të thërrasë, kohën që Prokuroria vlerëson se do t’i duhet për paraqitjen e provave të veta, statusin e nxjerrjes së materialit dhe një sërë pikash të tjera të lidhura me çështjen gjyqësore.
Gjithashtu Doyle tha se Trupi Gjykues lëshoi një urdhër gojor për shtyrjen e deklaratave hyrëse në këtë çështje, sikurse u kërkua nga Mbrojtja. Gjykatësit urdhëruan që gjykimi të fillojë më 3 prill me deklaratat hyrëse, jo më 1 mars, siç ishte njoftuar më parë. Kurse, deklaratat hyrëse do të vazhdojnë më 4 dhe 5 prill të pasuara nga dëgjimi i dëshmive më 11 prill.
Tutje, ai deklaroi se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave të Prokurorisë u caktua 1 prilli 2025. Trupi Gjykues po ashtu u tha se planifikoi gjithashtu një konferencë për ecurinë e çështjes në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë për datën 20 mars, në orën 9:00.
Në të njëjtën çështje gjyqësore, sipas Doyle, javën e kaluar Trupi Gjykues urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e Mbrojtjes të rishikonin disa parashtrime konfidenciale me synimin për t’i bërë ato publike nëse ishte e mundshme, së bashku me redaktimet e nevojshme./Betimipërdrejtësi/