Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë së Republikës së Kosovës u shpreh se 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës po e nisin me punë për të përcjell mesazhin se festa dhe puna duhet të shkojnë gjithmonë bashkë.
Kurti tha me këtë rast se çdo ditë e duhet të nisë me përkujtimin e amanetit të gjeneratave të rëna për liri
Kurti: Puna e festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë
“Simbolikisht kemi zgjedhur të hapim këtë ditë jo me ceremoni por me mbledhje sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna e festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. Pavarësia jonë u arrit përmes luftës dhe sakrificës, por pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës. Jo përmes rrugëve të shkurta që tentohen nga njerëz joseriozë... e cila i karakterizon njerëzit e mirë të Kosovës gratë dhe burrat që punojnë për ditë për veten e tyre, për familjet e tyre, për shoqërinë tonë, ekonominë tonë. Ata punojnë këtu por edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira dhe shpërblehen për punën e tyre” , tha ai.
Teksa theksoi se merita e pavarësisë së Kosovës është e qytetarit, kryeministri Kurti theksoi se Kosova është shembull i demokracisë.
Sipas tij, duhet të punojnë për të shumëfishuar arsyet që të rinjtë të zgjedhin Kosovën për të ardhmen e tyre.
Kreu i ekzekutivit kosovar në ditëlindjen e 15 të shtetit u shpreh se Kosova është model për të drejtat që u jep pakicave, për çka tha se u përket atyre dhe se duhet kujdes që ky ekuilibër për pakicat të mos prishet me formula eksperimentuese.
Kurti: Ekulibri për pakicat të mos prishet me formula eksperimentale
“Tek Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre. Pavarësia jonë është rezultat i historisë shekullore të Kosovës si vend ku gjithmonë jetuar krahë për krahë me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të komunitetet e feve dhe gjuhëve të ndryshme. Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosin vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë 15 vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bënë shumë mirë, dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritet nuk gëzojnë të drejta sikur te ne, na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjell rezultate të mira”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se gjithmonë duhet pasur parasysh amanetin e atyre që u flijuan për pavarësinë dhe lirinë e vendit.
Ndërsa, theksoi se duhet patjetër ta lënë Kosovën më mirë sesa e kanë gjetur.
Kurti: Çdo ditë e jona duhet të nis me përkujtimin e amanetit të gjeneratave të rëna për liri
“Në këtë festë të pavarësisë nuk më takon që të jem i ashpër me juve, ka boll ditë tjera të vitit ku do të mund të zhvillojmë aktivitetin tonë të përditshëm që përfshinë edhe punën edhe nxitjen edhe kritikën dhe vet kritikën dhe mbajtjen e përgjegjësisë sepse të qenit anëtar i një qeverie do të thotë mbi të gjitha marrjen përsipër të përgjegjësive... Tek përgjegjësitë tona duhet dalluar dy sosh: e para, të kemi parasysh gjithnjë trashëgiminë tonë, amanetet të gjeneratave që kanë dhënë gjakun dhe djersën për lirin e Kosovës edhe pse nuk kanë arritur ta shijojnë atë, çdo ditë e jona duhet të nis me përkujtimin e këtij amaneti, ky amanet është i paneglizhueshëm sepse nuk erdhëm ne këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë por i historisë së vetë, shekuj dhimbjesh që sot të kemi këtë gëzim. E dyta duhet të kemi gjithnjë parasysh të rinjtë, fëmijët e edhe ata të cilët nuk kanë lindur ende e të cilëve ne duhet patjetër tu lëmë një Kosovë më të mirë sesa ajo që e kemi gjetur. Mjedisin duhet t’ua lëmë më të pastër e më të gjelbër nga ai që gjetëm, ekonominë më të pasur e më të drejtë, drejtësinë më funksionale, infrastrukturën më moderne shëndetësinë më të pajisur e arsimin më të fortë. Një Kosovë ku udhëheqë ligji e jo njeriu, një Kosovë me rend për qytetarët e me ndëshkim për kriminelët”, u shpreh Kurti.
Për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Pas mbledhjes festive të Qeverisë është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovë, homazhe tek Monumenti i të Pagjeturve, homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, e homazhe tek kompleksi memorial “Adem Jashari”.
Po ashtu për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë në sheshet e Prishtinës do të parakalojnë trupat e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
E në orën 17:00 presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka organizuar pritje shtetërore.
Kujtojmë që më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës është shpall pavarësia e Kosovës. Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.