Liderët, mesazh Serbisë në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës - Musliu bën këtë gjest në Kuvend

Aktuale

Liderët, mesazh Serbisë në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës - Musliu bën këtë gjest në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 11:52 Përditësuar në ora: 12:38 më 17.02.2023
Kuvendi i Kosovës

Begaj: Serbia nuk është distancuar nga agresioni, ajo duhet të bashkëpunojë me Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve. Ndërsa ka kritikuar Serbinë duke thënë se nuk është tërhequr nga agresioni, derisa ka shtuar se mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Begaj tha se kjo ditë kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, Begaj tha se “jemi një komb që jemi përballur me dinjitet me historinë e vështirë të rajonit e që ka kontribuar për paqen në rajon dhe padyshim në Evropë, pavarësisht se i ndarë prej kufijsh”.

Begaj: Pavarësia e Kosovës ishte drejtësia shekullore që ndërkombëtarët i detyroheshin shqiptarëve

“Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve. Ditë e Pavarësisë së Republikës së Kosovës na kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar. Është një ditë krenarie për ne të gjithë, por dhe mirënjohjeje dhe falenderimi për ShBA-në, BE-në dhe të gjithë shteteve të tjera që iu gjenden pranë popullit shqiptar të Kosovës me forcë ushtarake, diplomatike dhe humanitare. Gjithashtu, u jemi falenderues shteteve mike që njohën menjëherë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në këtë ditë të shënuar për ju të nderuar përfaqësues e qytetarë të Republikës së Kosovës, e po aq të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK- në, luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë me sakrificën e tyre për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli”, tha presidenti Begaj derisa kujtoi edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Ai përsëriti se Shqipëria është mbështetëse aktive e integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës, pikësëpari e finalizimit të heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Derisa shtoi se ka pritur me entuziazëm lajmin e aplikimit të Republikës së Kosovës për procesin e anëtarësimit në BE, për çka uroi sukses e hapa sa më të shpejtë në këtë rrugëtim.

Begaj: Serbia nuk është distancuar nga agresioni, ajo duhet të bashkëpunojë me Kosovën

“Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në të gjithë organizatat e tjera ndërkombëtare. Shqipëria e ka mbështetur dhe e mbështet dialogun Kosovë – Serbi. Republika e Kosovës është shtet i lirë e i pavarur sido të mendojë apo veprojë zyrtarisht Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori e as agresioni dhe as ka ndalur aktivitetin e saj kundër njohjes së Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë duhet të bashkëpunojë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon. Angazhimi i BE-së dhe ShBA-së, dhe i të dërguarve të posaçëm për Ballkanin Perëndimor është shprehje e qartë e rëndësisë që ka Republika e Kosovës për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit. E kam të rëndësishme ta përshendes këtë angazhim dhe vijimin e një dialogu të mirëndërtuar, me njohje të ndërsjellë”, tha ai.

Presidenti shqiptar me këtë rast ka përshëndetur mbledhjet e përbashkëta të qeverive dhe nismat e ndërmarra në shërbim të lehtësimit të lidhjeve tona në të gjitha nivelet.

Kurti: Republika jonë erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova u bë shtet i pavarur në krah të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës ka thënë se liria erdhi edhe ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët tha ai, i qëndruan afër Kosovës përgjatë gjithë rrugëtimit deri sot.

“Në një kohë të vështirë politikisht ku jo vetëm politikanët dhe diplomatët por edhe teoricienët politikë besonin se kishte përfunduar epoka e shtetndërtimeve në Evropë, në Ballkan u krijua edhe një republikë parlamentare e mirëfilltë. Akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës”.

Kurti shtoi se nuk mund të harrohen edhe të burgosur politikë e mësimdhënës që i kontribuuan shtetndërtimit dhe ardhjes së pavarësimit.

“Krijimi i republikës erdhi pas 666 shekujsh të kaluar nëpër burgje nga mijëra të burgosur politikë, siç erdhi nga gjenerata mësimdhënësish që shkolluan breza të tërë në frymën e atdhedashurisë. Republika jonë erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të UÇK që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatë ndërkombëtare që më 1999 na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese”, ka përfunduar Kurti.

​Konjufca: Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës përkulemi para dëshmorëve që nuk kursyen jetën e tyre për liri.

“Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, gratë dhe burrat që u dhunuan e torturuan, nuk i harrojmë të gjithë ata që mbajtën për lirinë tonë vite burgje.

I përkulemi popullit tonë për qëndresën shekullore që na frymëzon secilin nga ne. Ne nuk harrojmë, mirënjohje për të gjithë miqtë tanë, gjithçka që arritëm nuk do të kishte qenë e mundshme pa ndihmën e tyre.

Por kur nuk do ta harrojmë gjenocidin që e bëri Serbia mbi qytetarët tanë. Ne jemi shtet i ti por rrënjët i kemi të moqme, këto rrënjë na mbajtën të bashkuar fortë”, ka thënë Konjufca.

Osmani: Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, epilog që e rikonfirmoi presidenti Biden në letrën e tij drejtuar mua dje, ajo është njohja recirpoke”, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani ne fjalimin e saj në Kuvend.

Në ditën e shënimit të përvjetorit të pavarësisë, Osmani ka thënë se në ditën e sotme kujtohet sakrifica e qëndresës së brezave shqiptar. Gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, në shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë, Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës po forcohen dita-ditës.

“Duke bartur në kujtesë këtë akt sublim më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Të kujtojmë sakrificën dhe qëndresën e brezave. Të kujtojmë presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, ti kujtojmë bijtë e bijat tona të cilët sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vendit, komandantin historik Adem Jashari.

Sot rikujtojmë dhe falenderojmë miqtë tanë, aleatët tanë që i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë e miq të lirisë”, ka thënë Osmani.

“Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri, ka dëshmua kulturë demokratike në funksionimin e institucioneve. Institucionet tona po forcohen dita ditës e kjo është e arritur e madhe e qytetarëve tanë. Sfidat na kanë bërë të përplasemi së brendshmi ngase pikëpamjet kanë qe ë të ndryshme por gjithsesi na kanë bërë më të fortë. Ne nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla, në përballje me Serbinë duhet dhe jemi një. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka shtuar presidentja Osmani.

Osmani kërkon unitet nga partitë politike, e nga ndërkombëtarët anëtarësim në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për ndër të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë, ka thënë se foli për unifikim dhe bashkim politik “para atyre që duan ta minojnë shtetin e Kosovës”.

Osmani kërkoi nga spektri politik që interesi i shtetit të dominojë, ndërsa nga bashkësia ndërkombëtare kërkoi që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e NATO-s.

“Këto sfida na kanë bërë që të përplasemi për brenda, pasi kemi pikëpamje të ndryshme. Si gjithnjë do të jemi një të bashkëndjejmë. Prandaj pavarësisht dallimeve në pikëpamje politike, spektri politik do të dominojë në interes të vendit.

Ne jemi fuqishëm në anën e aleatëve tanë, vendet e Ballkanit Perëndimor, ato që janë demokratike sa më shpejtë të anëtarësohen në NATO. Prandaj le të punojmë bashkë edhe pa reshtur që shtetin dhe Republikën e Kosovës ta forcojmë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Konjufca: Ne jemi shtet i ri, por rrënjët i kemi të moçme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në 15-vjetorin e Pavarësisë, Kosova kurrë nuk do ta harrojë gjenocidin që Serbia e ky kryer këtu. Ndonëse e quan Kosovën si shtet i ri, Konjufca tha se “rrënjët i kemi të moçme”.

“Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, as burrat dhe gratë që u dhunuan.

Por mbi të gjitha i përkulemi popullit tonë, për qëndresën e tyre shekullore. Por kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin të cilin e bëri Serbia mbi gratë dhe pleqtë tanë. Ne jemi shtet i ri por rrënjët i kemi të moçme.

Do ta ruajmë shtetin tonë si gjënë më të vlefshme”, tha Konjufca.

​Ganimete Musliu vendos emblemën e UÇK-së në foltore

Me intonimin e himnit të Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet për nder të 17 Shkurtit.

Në këtë seancë po marrin pjesë edhe presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Por para fillimit të seancës solemne për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka vendosur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në foltoren e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat