Qindra qytetarë ia kanë mësyrë Prekazit sot në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ata shprehën krenar për familjen Jashari dhe për dëshmorët që dhanë jetën për liri. Megjithatë, presin nga institucionet që të bëhet më shumë punë për vendin.
Qytetarja Arjola Liçi, e cila ka ardhur nga Shqipëria për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, është shprehur e emocionuar derisa kujton të rënët për liri.
Liçi: Ndenjë dhimbje dhe krenarie
"Ne jemi nga Shqipëria dhe vimë nga Elbasani. Kemi ardh për pavarësinë e Kosovës...Atmosfera është shumë e bukur dhe kjo ndjesia të jep diçka prekëse...Kur i shikon të gjithë të një familjeje, ndjen shumë dhimbje", tha mes lotëve Liçi.
Haki Gurguri i cili po ashtu ka ardhur nga Shqipëria, shprehet krenar për të arriturat e vendit, derisa thotë se duhet punuar ende për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë.
Gurguri: Të punohet me pastërti më të madhe për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë
"Kam ardhë sot për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe kam ardhë me qefin më të madh me shoqëri prej Fierit...Dhe nuk na është dukë rruga jo më shumë se gjysmë ore, sepse kur shkon me një vend me dëshirë e vullnet, është gjëja më e bukur dhe krenari për kombin shqiptar...Ky vend është la me gjak, duhet punuar me pastërti më të madhe dhe të punohet për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë krenar, baba im ka vdekur pa e pa Kosovën, nëna më ka rrit me pa njëherë dhe ai gjithmonë thoshte o Kosovë", tha Gurguri.
Halit Mustafa, qytetar nga Vitia është shprehur krenarë për gjithë dëshmorët. Porse tha se është dashur të punohet më shumë për vendin.
Mutafa: Shpresoj ta gëzojnë gjeneratat e reja
"Po ndihemi mirë, dikush tjetër e ka bërë mundin dhe ne e kemi gjet të gatshëm dhe shpresoj ta gëzojnë gjeneratat e reja...Por, është dashur të shkojë më larg, të përparojë më shumë, por nëse shohim ku kemi qenë, sërish duhet të pajtohemi me këtë", tha Mustafa.
Hysni Neziraj nga Tropoja, është shprehur i lumtur derisa ka vizituar familjen Jasharaj.
Neziraj: Jasharajt ndryshuan fatin dhe historinë e popullit shqiptar
"Nuk mundem me përshkru këtë gëzim kaq të madh sepse është nder për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen ta vizitojnë këtë familje të kombit. Kjo familje me këta njerëz që ndryshuan fatin dhe historinë e popullit shqiptar, është ditë e gëzuar dhe shumë e lumtur", tha Neziraj.
Qytetari Ali Krasniqi po ashtu pret nga institucionet të punohet më shumë për vendin.
Krasniqi: Prekazi është vend i shenjtë
"Është vend i shenjtë, ku ju dha një grusht i madh armikut dhe është fituar liria e Kosovës...Edhe pse është punuar në Kosovë, por duhet punuar ende më shumë, pasi është prit që do të punohet më shumë", tha Krasniqi.
Për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Pas mbledhjes festive të Qeverisë është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës, homazhe te Monumenti i të Pagjeturve, homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, si dhe homazhe në Kompleksin memorial "Adem Jashari".
Po ashtu për nder të 15-vjetorit të pavarësisë, po mbahet seanca solemne e Kuvnedit të Kosovës. Kurse, në sheshet e Prishtinës do të parakalojnë trupat e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
E në orën 17:00 presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka organizuar pritje shtetërore.
Kujtojmë se më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është shpall pavarësia e Kosovës.
Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.