Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ushtarët FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Në parakalimin e Trupave të Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova është e shenjtë dhe si e tillë duhet të ruhet.
Presidentja Osmani ka thënë se periudha nëpër të cilën po kalon Kosova ka shumë sfida, shkaku i krizave globale.
“Vajzat dhe djemtë e policisë sonë do të parakalojnë edhe në sheshin e Ibrahim Rugovës, i cili po na shikon nga lart dhe është shumë krenar. Këta vajza e djem janë pasardhësit e UÇK-së që e mbrojtën dhe e formuan shtetin tonë. Një falënderim shumë i madh shkon edhe për miqtë tanë. Faleminderit ShBA-së, aleatit tonë të përjetshëm. Faleminderit të gjitha shteteve të NATO-s dhe shteteve tjera mike të Kosovës”, ka thënë Osmani
“Vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë ë e trajtojmë si të tillë”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës mban vulën e sakrificës së 3 mijë dëshmoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u udhëhoqën nga komandanti Adem Jashari. “Liria, Pavarësia dhe shteti ynë, janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, kuadratet e ushtrisë dhe të Policisë, janë pjesa më e ndritshme e historisë së re Kosovës.
“Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenar çdo herë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballë me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit, ka treguar përkushtim dhe vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin ne çdo cep të Republikës së Kosovës”, është shprehur Osmani, duke thënë se ata janë pasardhës të UÇK-së.
Ajo ka folur edhe për rëndësinë e emrave të personave që mbajnë sheshet nëpër të cilat ka parakaluar ushtria e Policia.
“Jo rastësisht trupat e ushtrisë sonë do të parakalojnë në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë, një pjesë të madhe të historisë tonë. Do të fillojnë nga sheshi ‘Ibrahim Rugova’, do të vazhdojnë nëpër sheshin ‘Nëna Terezë’ e do të kthehen këtu, tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’, e pas nderimit ndaj 15-vjetorit të Pavarësisë së shtetit kuadratet e tyre do të kthehen në kazermën e cila man emrin e ikonës së luftës sonë çlirimtare, komandantit tonë legjendar “Adem Jashari”, ka theksuar Osmani.