Halim Brahimi e dha jetën për çlirimin e Kosovës. I biri tij, Patrioti, ankohet se shteti i ka lënë pas dore, sakaq ky e dhjetëra familjarë dëshmorësh po detyrohen të ikin nga vendlindja. Babai i tij njihej ndryshe me emrin Çaka. Ndodhej nëpër pothuajse secilën pikë të UÇK-së. Ishte nga Kozhica e Skenderajt.
“Ne nuk jemi e as nuk kemi qenë kurrë të kënaqur me trajtimin e shtetit ndaj neve dhe familjarëve të dëshmorëve sepse jemi kategoria më e ndjeshme e më me vlerë. Jemi të harruar dhe të nënçmuar sa qe detyrohemi të ikim nga vendi të cilin e kanë çliruar baballarët tanë me gjak, mundë e sakrificë”, theksoi Brahimi.
Rrëfimi i tij vjen në përvjetorin e 15-të prej kur Kosova shpalli pavarësinë. Patrioti e kujton mes emocionesh momentin kur e mori vesh që babai i tij u bë dëshmor i Republikës. Halimi dha frymën e fundit më 20.5.1999.
“Ka ardh axha im Hajdini me djalin e axhës të babait, Murtezin dhe na kanë thanë, ju e keni pasë babë, e na vëlla, por Halimin e kanë vra. Sot e asaj dite më kujtohet ai moment”, u shpreh Brahimi.
Fjalët e fundit të të atit për trashëgimtarët qenë të shkurta, ama të fuqishme.
“Amaneti i babait tim është qe nëse më kapin të gjallë kurrë lot për mua mos i ndalni sepse e dini se çka mundët me i ndodh trupit tim. Nëse vdes me pushkë në dorë kurrë lot për mua mos qitni sepse veten e kam paguar shumë herë. Një djalë shpija jonë duhet me dhanë për këtë vend”, rrëfeu i biri i Halimit.
Patrioti thekson se më 17 shkurt 2008, ëndrra e babait të tij u bë realitet.
“Nëse shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e kanë gëzuar edhe fëmijët e tij normalisht që po”, potencoi Brahimi.
Megjithatë ky dha edhe një mesazh të fortë e goxha goditës për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë.
“Le ta gëzojnë ata që nuk e meritojnë, kurse ata qe e meritojnë le të shkojnë te baballarët e tyre t`i tregojnë qe është ka luhet me amanetin dhe gjakun e tyre”, vlerësoi Brahimi.
Halimi ishte shok me Adem e Hamëz Jasharin, Ilaz Kodrën, Fehmi Lladrovcin e shumë heronj tjerë.