Kurti nderon me medalje 39 pjesëtarët e FSK-së që ishin në mision në Turqi

Aktuale

Kurti nderon me medalje 39 pjesëtarët e FSK-së që ishin në mision në Turqi

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 22:36
Foto nga vendngjarja

Kryeministri Albin Kurti ka nderuar me medalje 39 pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët përgjatë dy javëve kanë shërbyer si ekipe të ndara në disa rajone në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit me pasoja tragjike në Turqi.

Pjesëtarët e FSK-së janë rikthyer sot mbrëmje, derisa në aeroportin “Adem Jashari” ata janë pritur nga kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori i Turqisë, Sabri Tunç Angılı.

Kryeministri ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së për punën dhe guximin në këtë mision humanitar.

“Këto medalje janë dëshmi e vëmendjes dhe mirënjohjes tonë për guximin e treguar në Republikën e Turqisë, pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike, që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës. Është obligimi ynë humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partnerë, e aleatë, dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’iu gjendemi atyre në ndihmë në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht përmes jush, të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për në Turqi dhe qëndruar deri tash, duke u përpjekur me krejt çka mundeni dhe dini që të shpëtoni jetë dhe t’i nxirrni njerëzit nga rrënojat”, ka thënë Kurti para pjesëtarëve të FSK-së.

Ai ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e FSK-së që ishin në këtë mision humanitar, teksa ka thënë se ata kanë ndihmuar që vendi ynë t’i forcojë edhe më shumë lidhjet me popullin dhe Republikën e Turqisë.

Gjatë operacioneve të kërkim shpëtimit në Turqi, ekipet e FSK-së kanë arritur të shpëtojnë katër persona, që kishin mbetur nën rrënoja, si dhe kanë nxjerrë rreth 50 persona kufoma.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat