Rasti “Dehari”, të martën intervistohet Haki Abazi

Aktuale

Rasti “Dehari”, të martën intervistohet Haki Abazi

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 23:21
Haki Abazi

Në ora dhjetë në Prokurorinë Speciale do të vijë për t’u intervistuar deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

Këtë e ka konfirmuar për televizionin kryeprokurori Blerim Isufaj.

Kjo prokurori e ftoi Abazin për pretendimet që dha në konferencën e  16 shkurtit.

“Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Për ne as si shoqëri as si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet të gjithë ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë çështje deri në fund. IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, ka deklaruar Abazi.

Por këtë deklaratë e quan politike avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Do të duhej të shkonte në prokurori dhe të japë dëshmi për prova të reja apo çfarëdo prove që ai mund t’i ketë apo që ta njoftojë prokurorinë se çfarë ai din, por jo të mbajë konferenca për media në parlamentin e RKS në ditën kur është shkarku nga dy komisione në të cilat ka qenë i zgjedhur. Që i bie se vet Haki Abazi po e politizon këtë rast”, ka thënë Gashi.

Ai më tutje theksoi se Instituti i Mjekësisë Ligjore do të duhej të merr përgjegjësi për identifikim të zyrtarëve që kanë zhdukur mostrat.

“Prokuroria e ka për detyrim të hetojë, të identifikojë, t’i zbulojë këta persona që i kanë zhdukur këto mostra sepse natyrisht që qëllimi nuk është i mirë kur zhduken mostra të tilla. Qëllimi është të vështirësohen diçka që të gjithë po e dinë, që prokuroria ta vërtetojë edhe në bazë të asaj që ata kanë edhe në bazë të këtyre provave rrethanore që dikush po i zhduk mostrat që është rasti i vrasjes së Astrit Deharit. Me qëllim të mirë askush nuk po i zhduk mostrat dhe IML e cila do duhej të kishte përgjegjësi vet si institucion t’i identikojë ata vet se kush kanë qenë personat që i kanë ditur këto mostra që janë të Astrit Deharit sepse për ata që na shohin mostrat nuk janë me emra, dmth janë epruveta ma thjesht me thanë, dhe në ato epruveta nuk ka emra dhe ka vetëm numra, dmth vetëm një pjesë e vogël e zyrtarëve prej atyre që punojnë brenda IML-së, mund ta dinë se me numrin X mostrat e kujt janë”, ka shtuar ai.

Megjithatë zyrtarët e suspenduar janë rikthyer sërish në IML nga Komisioni i Ankesave në këtë institucion.

Por sipas Gashit kjo nuk ka kurrfarë ndikimi për rastin.

E për kthimin e tyre, Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se është përgjegjësi e Prokurorisë Speciale të shikojë nëse kanë të bëjnë me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

“Konsiderojmë që  në rast se komisionet kanë gjetur se në rastin konkret nuk ka shkelje disiplinore atëherë të njëjtit mund të kthehen në vendin e tyre të punës.  Mirëpo kjo nuk e përzien çështjen me përgjegjësinë penale që kjo mbetet pastaj përgjegjësi e Prokurorisë Speciale ta shikojë nëse të njëjtit kanë pasur të bëjnë me këtë rast, pra rreth zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit”, ka deklaruar Lavdim Makshana.

Në IKD tutje kanë thënë që ky rast nuk  duhet të neglizhohet.

“Edhe në rastin konkret kur e dimë që është një rast i ndjeshëm dhe është duke pritur qe disa vite në sirtarët e Prokurorisë Speciale dhe nuk është zbardhur ende se çfarë në të vërtetë ka ndodhur atëherë i bie që PS po e neglizhon këtë rast dhe nuk po i merr veprimet me kohë. Pra do të duhej që këta prokurorë të cilët po paguhen për kujdestarinë e tyre të ndërmarrin veprimet me kohë që një rast kaq mediatik të mos neglizhohet”, ka thënë ai.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat