Analisti Nexhmendin Spahiu, ka theksuar te tani në planin evropian do të diskutohet niveli i autonomisë së serbëve në Kosovë. Sipas tij për këtë Kosova dhe Serbia nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje, pasi siç ka thënë ai, Serbët do të kërkojnë “Republikë Sërpska” e Kosova nuk do ta pranojë këtë.
Ai në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se në këtë mes do të zërë pozicion i ndërmjetësuesve në procesin e dialogut. Sipas tij ata do ta përcaktojnë një “pazar” në mes.
Spahiu ka thënë se nëse ai “pazar” refuzohet nga Serbia atëherë do të këtë luftë.
“Nëse vihet në një pikë dhe këtu ka akoma punë, do të diskutohet së pari niveli i autonomisë së serbëve, aty do të ketë telashe, serbët do të kërkojnë ‘Republikë Sërpska’ në ndërkohë që qëndrimi i palës kosovare do të jetë shumë i ulët dhe aty do të zënë pozicion edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtare, dhe nëse ata do të përcaktojnë një pazar në mes dhe atë pazar e pranon Qeveria e Kosovës e nuk e pranon Qeveria e Serbisë, atëherë sigurisht që do të ketë luftë, është e sigurt që do të ketë luftë, fillimisht mes Kosovës dhe Serbisë e më vonë në mes të Serbisë dhe NATO-s”, ka theksuar Spahiu.
Sipas tij lufta mund të ndodh edhe kur dikush përpiqet të shtyjë pazarin me një tjetër. “Nëse Serbia nuk e pranon një marrëveshje të detajuar në kuadër të planit franko-gjerman tek atëherë do të kërcasin problemet”, është shprehur Spahiu, duke shtuar që nëse Kosova e refuzon atë pazar, atëherë pasoja do të ketë për Qeverinë e Albin Kurtit dhe jo për Kosovën.
“Atëherë aleatët perëndimor do të përpiqen që ta rrëzojnë Qeverinë në mënyrë që prapë se prapë Kosova të thotë po, ai që e mban më së larti pazarin e Kosovës është Albin Kurti”, ka deklaruar Spahiu.