Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi. Osmani me këtë rast tha se është nder për Kosovën që po nderon kontingjentin që shpëtoi jetë pas tërmetit në Turqi.
Presidentja Osmani kujtoi se si kjo nuk është hera e parë që ushtria e Kosovës përfshihet në misione të tilla fisnike.
Osmani – kontingjentit të kërkim-shpëtimit të FSK-së: Nder dhe privilegj t’iu dekorojmë juve
“Është nder dhe privilegj të ju presim për t’ua njohur trimërinë, përkushtimin dhe humanizmin e treguar kontingjentit të FSK-së, i cili i doli në ndihmë Turqinë mike duke ndihmuar në shpëtimin e jetëve nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti katastrofal... Përpjekjet humanitare të ushtrisë sonë, jo vetëm që kanë ndihmuar njerëzit në nevojë, por gjithashtu kanë dëshmuar kapacitetet e shtetit tonë për t’iu dalë në ndihmë miqve. Veprimet e tyre kanë treguar se ushtria jo vetëm që është e aftë të mbrojë kombin tonë nga kërcënimet e jashtme, por është e përkushtuar për të ndihmuar edhe kombet mike. Ushtria jonë njihet për trimëri dhe shërbimin e saj ndaj shtetit, por është e dëshmuar për shërbyer edhe ndaj popujve vëllazërorë dhe miqve, siç ishte tërmeti në Shqipëri dhe së fundmi në Turqi dhe në Siri... Ushtria jonë do të vazhdojë të ofrojë ndihmë dhe mbështetje humanitare për të prekurit nga tërmeti në Turqi”, tha ajo derisa shprehu edhe njëherë ngushëllime për të gjitha viktimat e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili falënderoi autoritetet kosovare për ndihmën e dhënë pas tërmetit në shtetin e tij.
Angili – kontingjentit të FSK-së: Ju jeni heronj që punuat me guxim në kushte shumë të vështira
“Jam i nderuar të marr pjesë në këtë ceremoni. Në sytë tanë, ju të gjithë jeni heronj që punuat me guxim në kushte shumë të vështira dhe shpëtuat jetë njerëzish, përfshirë edhe një fëmijë dyvjeçar. Ju jemi mirënjohës edhe juve zonja presidente, Qeverisë së Kosovës, si dhe popullit të Kosovës, që na ndihmuat në kohën tonë të vështirë si materialisht ashtu edhe moralisht, ky akt mbështetjeje dëshmon edhe një herë se miqësia dhe vëllazëria mes dy vendeve tona janë të fuqishme dhe mjaft solide”, tha ai.
Për misionin e kërkim shpëtimit në Turqi foli edhe kapiteni i FSK-së, Egzon Syla. Ai falënderoi edhe institucionet e Turqisë për bashkëpunimin e treguar gjatë kohës sa ishin me mision atje.
Syla: Sapo shkuam, filluam operacionin e kërkim-shpëtimit
“Ne arritëm që menjëherë të fillojmë operacionin, ku si sukses i kësaj ishte edhe shpëtimi i jetës së njerëzve, ku qysh ditën e parë arritëm të shpëtojmë një vajzë 6-vjeçare dhe nën e saj nga rrënojat. Sakrifica të cilën e kishin pjesëtarët tonë për të shpëtuar jetë na kanë bërë të ndjehemi mirë, dhe sidomos mua si kapiten i kontingjentit. Kjo më ka bërë të besoj se Kosova kurdo herë që ka nevojë, ka djem dhe vajza që janë të gatshëm të sakrifikojnë më të shtrenjtën për atdheun”, tha ai.