Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu ka mohuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga qëndrimi për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeziu ka thënë se ka pasur interpretime tjera, por se ShBA-ja vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë.
“A mendoni që ShBA-ja janë tërheq nga njohja reciproke? Sikurse ne që nuk jemi zmbrapsur nga kërkesa për njohje reciproke, as Shtetet e Bashkuara nuk janë tërhequr nga një pozicion i tillë. Sikurse Republika e Kosovës që nuk është zmbrapsur nga kërkesa e saj dhe synimi i saj legjitim për njohje reciproke që derivon nga qëndrimi i prerë i ShBA-së për njohjen reciproke, as Shtetet e Bashkuara nuk janë tërheq nga një pozicion i tillë sado që ka pasë interpretime për të”, ka thënë Kryeziu.
Duke folur për transparencën rreth planit franko-gjerman, Kryeziu ka thënë se kryeministri ka sqaruar praktikisht çdo pikë të atij propozimi.
“Unë besoj që e keni pa dhe dëgju kryeministrin kur ka fol në Kuvend për propozimin franko-gjerman. Nuk ka mundur të jetë më i drejtpërdrejtë dhe transparent se aq. Për çdo pikë të atij propozimi praktikisht ai ka diskutu”.
“Në të njëjtin fjalim i ka përshkruar dhe diskutuar praktikisht të gjitha pikat, ka treguar se pse nuk mund ta ketë transparencën që po e kërkoni ju e publiku. Me të njëjtët aletatë ka pasur një marrëveshje që të ketë konfidencialitet të bisedimeve. Transparencë për procesin për mbajtjen e takimeve por jo edhe për detajet e tekstit”, ka deklaruar ai.
Më tej, Kryeziu ka thënë se ky plan parasheh njohjen defakto dhe është marrëveshje e ndërmjetme drejt njohjes reciproke.
“Propozimi evropian praktikisht e sheh një njohje defakto por ky propozim për të cilën duhet të ketë biseda për të’u shndërruar në marrëveshje, nuk është marrëveshje përfundimtare. Është marrëveshje e ndërmjetme drejt atij qëllimi që edhe ne si Qeveri e themi, pra normalizim i plotë i marrëdhënieve e për neve ky normalizim detyrimisht nënkupton njohje reciproke por edhe për ShBA që insistojnë që qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar”, ka deklaruar Kryeziu.