Përplasjet verbale e kundërshtitë e ditës së sotme mes deputetit Haki Abazi dhe liderit të partisë së tij, Albin Kurtit, kanë ngjallur debate mes panelistëve në “Politiko”.
Komentatori, Blerim Gashi e ka komentuar ‘’zanafillën’’ e këtyre kundërshtive mes liderit të VV-së dhe deputetit Abazi duke thënë se rasti Dehari është vetëm ‘’masha për revansh politik’’ sepse krejt këto mosmarrëveshje kanë ardhur për shkak ndryshimit të programit të VV-së.
“Nuk është e pranueshme vetëm përdorimi i një rasti sensitiv për poenta politik. Është themelore te Abazi, thyerja e shtizave që e ka pasur me Kurtin, duhet ta dimë që e ka pasur për interesa të çështjeve themelore sikurse energjia. Orientimi i Abazit në mandatin e parë si zv.kryeministër ka qenë për shkak se VV-ja në programin e vet dhe tranzicionin në të gjelbër, ka qenë më shumë nga bindjet që Abazi i ka lobu për vite të tëra dhe ende vazhdon me lobu. Ndërsa tani shohim tek VV-ja një riorientim edhe me strategjinë e re të energjisë që ik nga strategjitë që i ka Abazi. Fitili i ndezur i pakënaqësive e mospërputhjeve politike dhezet këtu. Astrit Dehari është vetëm mashë, për të u revanshuar politikisht.”, ka thënë Gashi.
Tutje, Gashi ka thënë se Abazi si deputet ka të drejtën legjitime që ta ngre zërin dhe të tregojë pakënaqësitë e veta për mungesë demokracie në subjektin që përfaqëson.
“Natyrisht që Abazi ka të drejtën e vet jo vetëm për shkak të votave por edhe si qytetar i lirë i këtij vendi të i shpreh pakënaqësitë e veta dhe bindjet e tij për demokracinë apo mungesën demokratike në shtëpinë politike ku është ose brenda ku e kanë shkarkuar nga pozitat ekzekutive pastaj legjislative brenda parlamentit. Krejt është legjitime.”, ka përfunduar ai.