22-vjeçari Artan Mehaj, nga komuna e Istogut, ia kishte vënë vetës një detyrë që sa më parë të gjente një punë në një nga shtetet e Bashkimit Evropian.
I riu ëndërr e kishte Gjermaninë, por mundësinë për të shkuar atje ishin të pakta, edhe për faktin se Kosova nuk ka liberalizim të vizave.
Por gjatë bisedës më shokë, ata i treguan një mundësi të realizimit të ëndrrës gjermane përmes kompanisë Minerva Group në Fushë-Kosovë.
Krejt çka ata i kërkuan atij si kriter për të aplikuar për vizë pune në Gjermani ishin emri, mbiemri dhe vendi i lindjes.
Për të shkuar në Gjermani, Mehajt i thanë se nuk ishte e domosdoshme njohja e gjuhës gjermane.
Por nuk ishte vetëm ky premtimi i kësaj kompanie. Sipas 22-vjeçarit, Minerva Group i kishte premtuar se vetë ata do t’ia sigurojnë punësimin dhe vendbanimin, e në rast se ai do të dështonte ta merrte vizën, paratë që do t’i paguante, do t’i ktheheshin.
Pasi i plotësoi të gjitha kriteret, ai ishte kontaktuar nga ‘Minerva Group”, duke i thënë se ishte personi i vetëm që kishte arritur ta merrte vizën.