Përplasje pozitë-opozitë, s’kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

Përplasje pozitë-opozitë, s’kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 07:01 Përditësuar në ora: 17:23 më 22.02.2023
Kuvendi i Kosovës

Në mungesë së kuorumit ndërpritet seanca e Kuvendit

Vazhdimi i seancës së Kuvendit Kosovës nuk filloi pasi që të pranishëm ishin vetëm 47 deputetë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se seanca ndërpritet për të vazhduar një ditë tjetër.

Konjufca iu drejtuar deputetëve duke iu thënë “shihemi nesër në seancë të re”.

Në seancën e sotme ishin paraparë të ratifikohen disa marrëveshjeve ndërkombëtare, por që asnjëra nga to nuk kaloi. 

S’kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare, kuvendi shkon në pauzë

Seanca e Kuvendit ka shkuar në pauzë deri në orën 16:30 në mungesë të kuorumit për votim të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin - efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Ani se nuk u hodh në votim, për këtë projektligj shprehën përkrahje të gjitha partitë opozita dhe pozita.

Edhe për këtë marrëveshje ndërkombëtare nga deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkoi mbështetje ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Ky projekt synon të ndihmoj apo të mbështes komunën e Prizrenit në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në 100 objekte komunale duke përfshirë kopshte, shkolla e objekte shëndetësore. Masat e propozuara për efiçiencës e energjisë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimeve të sistemit të ngrohjes izolimit termik të ndërtesave....Projekti kap vlerën prej 6 milionë e 315 mijë euro prej të cilave BERZH ofron 1 milionë euro grant investimi dhe 315 mijë grant teknik për të ndihmuar në realizimin e disa prej elementeve të projektit kurse pjesa tjetër prej 5 milionë euro është kredi nga BERZH me normë të tarifës së zotimit në vlerë prej 0.5% në vit ndërsa normë interesi 1%”, theksoi ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se këto marrëveshje i përkrahin si parti jo pse marrëveshja është për një komunë që qeveriset nga një parti opozitare, por për shkak të rëndësisë për qytetarët.

“LVV e përkrahë këtë marrëveshje përfitues kryesor është komuna e Prizrenit megjithatë marrëveshja në fjalë është sipas strategjisë së energjisë dhe përpjekjeve të Kosovës për ta kursyer energjinë elektrike dhe për ta bërë sektorin publik udhëheqës në këto përpjekje që duhet të vazhdojnë deri në mbarim të strategjisë“, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri shprehi mbështetjen për këtë marrëveshje.

“Nëse ka kushte të mjaftueshme dhe nëse jemi 2/3 prezent nuk kemi pse të presim dhe hyjmë në votim”,tha Tahiri.

Edhe LDK e ka mbështetur këtë marrëveshje ku përfituese janë qytetarët e komunës së Prizrenit.

“Ne e përkrahim një marrëveshje të tillë dhe shpresojmë në implementim të shpejt të saj”, tha ai.

E shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila propozoi që këto marrëveshje të mos hidhet në votim sot, por të shtyhen për ndonjë seancë tjetër.

“Ne propozojmë që këto marrëveshje ndërkombëtare të votohen bashkë në një të ardhme të afërt kur do të jemi 80 vota pa marr parasysh tërheqjen votën kundër të një grupi parlamentar, por kur të sigurohemi që të kalojmë. Mendoj se kemi mjaftueshëm edhe guxim politik por edhe vetëdije politike që t’i mbështesim marrëveshjet ndërkombëtare”, theksoi ajo.

E shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nuk u pajtua me propozimin e Kusari-Lilës.

“Kjo çka e propozoi Kusari me gjithë respektin vetëm po i kontribuon një kaosi parlamentar...nuk ka kurrfarë arsye që kjo të kushtëzohet tash të hyjnë edhe ato tjera nuk duhet me u pa Kosova si hartë elektorale kush kënd e qeverisë cili qytet”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk duhet të krijohet në Kuvendin e Kosovës praktika që të hedhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare vetëm kur janë votat.

“Nëse Kuvendi i ka 80 deputetë në sallë është i obliguar me hedh në votim nëse nuk ka kuorum nuk ka kuorum kur ka kuorum votohen, por nëse rrethanat janë dhe ka kuorum duhet me u hedh pikat të gjitha me radhë...Por jo me thënë po presim derisa të bëhen 80 vota për sepse pastaj është imponim dhe formë e shantazhit dhe mendoj se nuk duhet me u ndërtua si formë në Kuvend “, u shpreh ai. 

​Marrëveshja ndërkombëtare për reforma të skemës sociale përplas pozitën dhe opozitën

Kuvendi i Kosovës po shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Derisa LDK u shpreh kundër kësaj marrëveshje ndërkombëtare, PDK kërkoi që mazhoranca të jenë të përgjegjshëm karshi konsensusit, ndërsa nga AAK u kërkua që të mos sjellin marrëveshje ndërkombëtare për të cilat nuk ka konsensus.

Ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se duke parë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare ai për herë të tretë e ka sjellë në Kuvend.

Ai kërkoi nga opozita t’i lënë anash inatet politike dhe ta përkrahin këtë marrëveshje që i hap rrugë reformave të sistemit për ndihmë sociale.

“Arsyeja që po e sjell për herën e tretë para jush është se e konsiderojmë si qeveri që është tepër e rëndësishme dhe është një hap tepër i rëndësishëm dhe i domosdoshëm që duhet bëhet janë me mijëra familje, me qindra-mijëra pensionistë që presin që kjo marrëveshje të kaloj që të hapet rruga për reformat e nevojshme e të domosdoshme në këto fusha. Por të ishte një marrëveshje e thjesht nuk do ta kisha marr mundin pra që ta sjell për herën e tretë, mirëpo duke e konsideruar rëndësinë dhe peshën që ka për shumë qytetarë të vendit por edhe shtetin e Kosovës në mënyrë që familjet që kanë nevojë të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme po e sjellim edhe për herë të tretë para jesh dhe shpresoj të gjeni vullnetin dhe të lihen anash inatet politike sepse kjo marrëveshje kërkon 80 vota ratifikim”, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se meqenëse LDK është shprehur se nuk do ta votojë këtë marrëveshje, si Lëvizje Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë fare në votim.

“Sipas bisedave me grupet parlamentare LDK do të votojnë kundër gjë që rrezikon që për herë të tretë kjo marrëveshje të rrëzohet në Kuvendin e Kosovës...është mëse e rëndësishme që në dritën e të gjitha obligimeve që i ne i kemi si deputet të Republikës dhe mbi vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për domosdoshmërinë e reformës të sistemit pensional dhe njohjen e stazhit kontributdhënës 15 vjeçar të gjithë atyre që kanë punuar në periudhat më të vështira për vendin gjatë vitet 90’ që sa më parë të filloj zbatimi i kësaj marrëveshje. Në rrethanat në të cilat do e kemi një grup parlamentar të domosdoshëm votat pro të deklaroj votën kundër grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk merr pjesë fare në votim”, tha ajo.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri shprehu mbështetjen e këtij subjekti politik për këtë marrëveshje ndërkombëtare që mundëson reformën në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë.

“Ne kemi ndryshuar qëndrim për hir të këtyre qytetarëve dhe do padyshim që do ta votojmë për këtë marrëveshje, shihet që sot me gjasë fakti që edhe shefja e mazhorancës tha e nuk do të marrin pjesë në këtë votim në mënyrë që të mos vije kjo marrëveshje fakteqësisht nuk do kaloj dhe mendoj që edhe ju si koalicion qeveritar që jeni së bashku me komunitetet duhet të jeni më të përgjegjshëm të paktën të jeni me ata numra që jeni”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti u shpreh se nuk ka ndodhur asnjëherë që Qeveria të sjellë në Kuvend miratim të marrëveshjeve për ndihma sociale.

Hoti theksoi kundërshtimin e LDK për këtë marrëveshje.

“A ka buxheti i shtetit të Kosovës nevojë për këtë financim jo a janë kushtet e favorshme të kësaj kredie sigurisht që janë sepse janë prej Bankës Botërore por nevojë nuk ke, por meqenëse i ke do mjete aty hajde po i marrim po ku po i dërgon ato mjete...42% të buxhetit e ke qu në subvencione e transfere, prej 30% sa ka qenë 2019 si vit i rregullt buxhetor e ke quar në 42% edhe me këtë marrëveshje dhe me atë që u rrëzua shkom në 50% në subvencione dhe transfere çfarë zhvillimi është ky, kah do me e dërgon vendin kështu, edhe dy mandate me t’i dhënë nuk e di a ki me sjell ndonjë marrëveshje që me financuar ndonjë projekt të bujqësisë të ministritë që e ki afër aty, të ujitjes të ndonjë autostradë të re”, theksoi ai.

E Besnik Tahiri i AAK-së kërkoi që mos të sillen në Kuvend marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat nuk mund të arrihet konsensus.

Tahiri derisa ofroi mbështetjen e AAK-së për këtë marrëveshje, tha se është tmerri i tmerrit mos të arritët krijimi i konsensusit.

“Për vlerësimin tonë si Aleancë pesha më e rëndë dhe barra më e madhe për buxhetin janë skemat sociale dhe kalimi i kësaj marrëveshje ka rëndësi të madhe për një reformë të thellë, e cila fatkeqësisht nuk u elaburua kurrë këtu ekziston ndonjë marrëveshje por nuk ka një elaborim...është tmerri i tmerrit ky Kuvend me sjell marrëveshje ndërkombëtare dhe mos me mund me arritur konsensusin për këto është tmerri i tmerrit. Mos sillni marrëveshje ndërkombëtare nëse nuk ka konsensus se bëhemi gaz. Votat e AAK për marrëveshje ndërkombëtare sa herë që t’i bini i keni por është tepër me rëndësi që të ndërtoni konsensus politik”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha u shpreh se ndonëse Avdyullah Hoti me urdhër të Richard Grenell kishte rrëzuar qeverinë Kurti 1, përsëri deputetët e LVV në opozitë i patën mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare.

“Në kohën kur zotëri Hoti me urdhër të Grenellit e pati rrëzuar qeverinë Kurti koalicionin LDK dhe ne bashkë me ne, edhe ne prapë në opozitë i kemi votuar ato marrëveshje ndërkombëtare e çka po tregohet e nuk po është e sigurt këtu është se edhe pse na patën rrëzua padrejtësisht ne këto marrëveshje financiare i kemi votua”, tha Basha.

Pas kësaj deklarate, replikoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se ajo qeveri është rrëzuar nga votat e deputetëve të Kosovës pasi nuk e ka merituar të vazhdojë mandatin.

Sipas tij, deputeti Basha nuk e di që subjekti që ai i përket nuk ka mbështetur marrëveshje të rëndësishme, pasi ai ka ndërruar 10 subjekte politike.

“Basha duhet me qenë i sinqertë me veten më së pari atë qeveri e kanë rrëzuar votat e deputetëve të Kosovës ajo qeveri nuk e ka merituar me vazhdua mandatin atëherë siç nuk e meriton as qeveria ekzistuese me vazhdua mandatin më shumë, por rregullat e demokracisë janë tjera she kështu vazhdojnë. Ai duhet me ditë që subjekti i tij politik nuk e ka votuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ka harruar se nuk e ka idenë se i ka ndërruar 10 subjekte derisa ka ardhur këtu kaq për dijeninë e tij...çfarë qeverie është ajo që nuk i paguan pensionet dhe asistencën sociale më thoni qysh zhvillohet shteti kështu të mjerë keni qenë dhe të mjerë jeni”, tha Hoti.

Basha iu kundërpërgjigj HotiT, duke i thënë se nuk ka qenë në asnjë parti politike përveç në LVV.

“Për ndërrimin e partive të mia unë asnjë parti nuk kam qenë asnjëherë a për zotërin Hoti, e ditë që në fund doli që kishte qenë një anëtar i Partisë së Re e sot shitet rugovist“, tha ai.

E pas këtij debati, ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se tendenca në çdo seancë të ndërpritet me interpretime kushtetuese nuk i bënë mirë opozitës.

Ai këtë deklarim e pati si replikë karshi deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

“Vetëm me fol përmendshëm dhe vetëm me tentua që çdo seancë me ndërpre me gjoja interpretime kur nuk merrni erë në këtë fushë konsideroj se nuk iu bënë mirë se ekspozoheni si në këtë rast tani”, tha ai.

Pas kësaj, reagoi deputeti Gashi i LDK-së, i cili tha se kjo qeveri borxhin e kanë futur në ligjin e buxhetit pa nismë legjislative, prandaj sipas tij, kjo marrëveshje është e pakalueshme.

“Futja e një marrëveshje ndërkombëtare si ligj i buxhetit ku Kushtetuta neni 4 thotë Kuvendi i Kosovës me 2/3 duhet të ratifikoj borxhin e ka shti në ligj të buxhetit pa pas nismë hiq, shkeljen e dytë e ka bërë që nuk ka pas nismë hiq por për të bërë pazar e me detyrua një parti politike me votua një marrëveshje e cila ideologjikisht, politikisht, praktikisht është e pakalueshme e ka bërë veprim”, u shpreh ai. 

Kuvendi debaton për raportin e KE-së dhe voton Strategjinë e Energjisë

Sot Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seancat plenare.

Në rend dite është votimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovë dhe debati parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Po ashtu në rend dite është votimi në lexim të dytë i Projektligjit pёr anti dopingun, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Bujqësi dhe zhvillim rural, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zhvillimin Rajonal të Balancuar, shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat