Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar për bastisjen që Gjykata Speciale është duke ia bërë Adil Behramajt.
Behrami e ka quajtur “skandal” bastisjen e ish-këshilltarit tjetër të Thaçit, përcjell Bota sot.
Sipas tij, ky aksion i Prokurorisë së Speciales, është kërcënim i hapur ndaj mediave në Kosovë.
“Bastisja e banesës së mikut tonë dhe udhëheqësit të mediumit ‘Demokracia’, Adil Behramajt, nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është një skandal i paprecedent. Ky është një kërcënim i hapur ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë. Pa paragjykuar motivet, frikësimi i gazetarëve nuk i bën nder Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Behrami në një postim në Facebook.
Bastisjen e ka konfirmuar edhe avokati i Behramajt, Artan Çerkini.
Çerkini, ka thënë se bastisja po vazhdon akoma, derisa ka theksuar se nuk mund të japë detaje derisa të përfundojë aksioni.
“Po, unë kam qenë në cilësinë e avokatit Behramaj. Bastisja është në rrjedhje e sipër. Deri më tani janë duke u kryer veprimet e bastisjes. Deri të përfundojë bastisja nuk mund të deklarojë më shumë se kaq”, ka thënë ai./Botasot