Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”.
Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate.
Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviq.
Në videot që janë shpërndarë në platforma të ndryshme sociale më 21 shkurt, duket se ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare Sukobinë, që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Sipas pamjeve, një polic e nxjerr me forcë nga makina shtetasin e huaj, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet.
Policia malazeze tha se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës.
Policia tha se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin.
Partia shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, tha se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikën monetare.