Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon ka deklaruar se Kosova e Serbia duhet ta kapin momentin për ta pranuar propozimin franko-gjerman.
Sipas saj Kosova duhet të bëjë përpjekje që ta themelojë Asociacionin.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Kosova me të vërtetë duhet të bëjë përpjekje për të krijuar një Bashkësi të Komunave Serbe dhe për të siguruar integrimin dhe mirëqenien e komunitetit serb. Kur bëhet fjalë për propozimin e BE-së, e kuptoj se bëhet fjalë për vendime politike jashtëzakonisht të vështira, me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj se si Beogradi ashtu edhe Prishtina, në krye me politikanët e tyre, do të gjejnë një mënyrë për ta kapur këtë moment. Sepse është e vështirë të thuash se kur do të shfaqet një mundësi e re”, ka thënë Fajon për Der Standard.
E pyetur se a e mbështet Sllovenia aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ajo ka thënë se “nuk e kundërshtojnë”.
“Ne nuk e kundërshtojmë këtë. Por unë nuk mendoj se debati për këtë është tani në tavolinë. Nuk jame sigurt nëse nuk është shtyrë, por nuk na preokupon”, ka deklaruar Fajon.