Ministrja e Shtetit në Zyrën e Jashtme Federale në Gjermani, Anna Lührmann e vlerëson propozimin franko-gjerman si një mundësi unike për Kosovën dhe Serbinë.
Sipas saj progresi drejt një normalizimi të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë.
“Pranimi i propozimit do të përmirësonte rrënjësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet midis vendeve”, ka thënë ajo në një intervistë.
Sipas saj ky plan do të largonte pengesat në rrugën drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe zhvillimit ekonomik.
“Dhe sigurisht që do të ishte një nxitje politike dhe ekonomike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili po frenohet nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjithë anëtarët e BE-së shpresojnë që Serbia dhe Kosova ta shfrytëzojnë këtë shans historik dhe unik. Evropa po e përqafon rajonin si kurrë më parë: krahët tanë janë të hapur, por ne kemi nevojë që të dyja palët të veprojnë në mënyrë konstruktive”, ka shtuar Lührmann për European Western Balkans.