Quni për takimin e 27 shkurtit: Kurti është i njohur për ndërrimin e qëndrimeve

Aktuale

Quni për takimin e 27 shkurtit: Kurti është i njohur për ndërrimin e qëndrimeve

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 23:48
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se është vështirë të parashikohet se si do të jetë qëndrimi i kryeministrit, Albin Kurti, në takimin e së hënës në kuadër të dialogut me Serbinë, në të cilin pritet të diskutohet për planin franko-gjerman.

Sipas Qunit, edhe pse Kurti ka shprehur konsiderata pozitive, vështirë të parashikohet qëndrimi i tij.

“Shumë është vështirë të parashikohet se si do të jetë qëndrimi i tij në takimin i radhës. Përkundër asaj që Kurti ka shprehur konsiderata pozitive për planin franko-gjerman, por se a do të jetë konsistent, në vlerësimin dhe konsideratën e tij presim deri të hënën dhe besoj që shumë shpejt do e mësojmë”, tha deputeti.

Ndërsa, për gjashtë kushtet të cilat i ka paraqitur kryeministri për formimin e Asociacionit, Quni thotë se me qëndrimin e ri Kurti është në kundërshtim me vetveten.

“Qëndrimi më i ri i tij është në kundërshtim me ato më të hershme a po me kohën kur ai Asociacionin e quante Zajednicë dhe këtë temë do të thotë gjithnjë e ka shtru në atë shtratin që kushdo që e formon Asociacionin është tradhtarë i kombit është tradhtar i Kosovës, vlerave tona, por ja që tani po ndodhin ndryshimet, ai pranon të flasë për Asociacionin duke i paraqitur kushtet”, deklaroi Quni.

Tutje, ai ka thënë se Kurti sa do ta mbajë këtë qëndrim është vështirë të parashikohet, pasi që sipas tij, kryeministri tashmë është i njohur që i ndërron qëndrimet.

“Sa do të qëndrojë në këtë qëndrim, po ashtu është vështirë të parashikojmë, pasi që tash është i njohur si kryeministër që i ndërron qëndrimet kohë pas kohe”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat