Arifi kritika BE-së dhe Kurtit: S’ka gatishmëri për të diskutuar për Luginën

Aktuale

Arifi kritika BE-së dhe Kurtit: S’ka gatishmëri për të diskutuar për Luginën

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 10:06
Shqiprim Arifi

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi nuk pret që në takimin e 27 shkurtit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq të diskutohet edhe për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Arifi ka thënë se nuk pret që të ketë reciprocitet me shqiptarët në Serbi krahasim me serbët në Kosovë.

“Qasja që të bëhet një Asociacion për Luginën e Preshevës unë ja kamë thënë këtë para 4 vjetëve Albinit, por se ka marrë parasysh dhe këtë e shprehë publikisht pas rritjes së presionit ndërkombëtar…Nuk pres reciprocitet në krahasim me serbët në Kosovë. Jam i zhgënjyer”, është shprehur ai.

Arifi ka thënë se nuk ka gatishmëri as nga Bashkimi Evropian që të diskutohet në dialog edhe për Luginën e Preshevës, ndërsa propozimin e kryeministrit Kurti që të ketë reciprocitet në Serbi për pakicat ashtu siç ka në Kosovë për serbët e ka quajtur false.

“Kërkesa jonë është që të jemi të përfshirë, gatishmërinë nuk e kamë parë të Bashkimi Evropian që të përfshihet Lugina e Preshevës. Ideja e reciprocitetit të Albin Kurtit ka qenë vetëm sa për sy e faqe, ka qenë më shumë publike se substanciale në dialog”, ka thënë Arifi.

Para takimit të 27 shkurtit, Kurti të premten ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Në këtë bisedë Kurti ka përmendur që pjesë e marrëveshjes reciproke “duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat