Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se në takimin e së hënës në Bruksel mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, s’do të ketë marrëveshje finale me njohje reciproke në qendër.
Krasniqi tha se 27 shkurti i këtij viti do të jetë fillimi i një faze të re të procesit të dialogut, që sipas tij, njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë s’do të jetë më fare temë diskutimi.
“Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti”, tha Krasniqi.
Tutje, kreu i PDK-së tha se më planin e propozuar nga BE-ja s’flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse, s’flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, teksa shtoi se njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi.
“Për më keq, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”, është shprehur Krasniqi.