Profesori universitar, Milazim Krasniqi, duke komentuar raportimin e Nacionales rreth fjalimit të sotëm të kryeministrit, Albin Kurti, ka thënë se përdorimi i rastit të Astrit Deharit në politikë është i pamoralshëm.
Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se rasti tragjik i ish-aktivistit është punë e drejtësisë.
“Nëse drejtësia nuk e zbardhë, i bie që ose është e paaftë, ose kukull në duart e politikës. Pse? Sepse ky rast ka ndodhë në institucion shtetëror, ku ka mbikëqyrje të madhe. Është pothuajse e pamundur të mos gjenden fijet e dëshmive, që mund ta zbardhin rastin.” – ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se përgjegjësitë eventuale të institucionet dhe të LVV-së nuk duhet ta fshehin njëra-tjetrën.
“As humbja e mostrave të gjakut të të ndjerit nuk duhet ta ndalë procesin për zbardhjen e rastit. Prokuroria e ka një detyrë të madhe: ta zbardhë gjithsesi rastin. Rastin mund ta zbardhë, vetëm duke mbajtur njërin sy te institucioni shtetëror, ku rasti tragjik ka ndodhë, tjetrin te partia LVV.” – shtoi Krasniqi.
Në fund, profesori shtoi se krahasimi i Deharit me Nolin e Demaçin është manipulim politik, si “tentativë për të mjegulluar apo fshehur diçka”.
Postimi i plotë:
“Astrit Dehari, Fan Noli, Demaçi”: Kurti me fjalim të gjatë në LVV, s’tregon asgjë për takimin me Vuçiqin” (Nacionale, 26 shkurt 2023) Koment: Rasti tragjik i Astrit Deharit është punë vetëm e drejtësisë. Përdorimi i këtij rasti tragjik në politikë është i pamoralshëm. Nëse drejtësia nuk e zbardhë, i bie që ose është e paaftë, ose kukull në duart e politikës. Pse? Sepse ky rast ka ndodhë në institucion shtetëror, ku ka mbikëqyrje të madhe. Është pothuajse e pamundur të mos gjenden fijet e dëshmive, që mund ta zbardhin rastin. Në këtë kontekst, pyetja themelore mbetet: kush ka pasur interes që të mos flasë Astrit Dehari- prokuroria apo LVV? Po të mendohet logjikisht, prokuroria ka pasur interes që i dyshuari të vazhdojë të flasë, ndërsa LVV ka pasur interes që rasti të devijohet, ose të mbyllet krejtësisht. Sidoqoftë, hipoteza për vrasjen e tij më shumë mund ta rëndojë LVV, natyrisht pa e zvogëluar aspak pëgjegjësinë e institucionit shtetëror, ku ka ndodhë rasti tragjik. Ama përgjegjësitë eventuale të institucionit dhe të LVV nuk duhet të ndërkëmbehen, as nuk duhet ta fshehin njëra-tjetrën. As humbja e mostrave të gjakut të të ndjerit nuk duhet ta ndalë procesin për zbardhjen e rastit. Prokuroria e ka një detyrë të madhe: ta zbardhë gjithsesi rastin. Rastin mund ta zbardhë, vetëm duke mbajtur njërin sy te institucioni shtetëror, ku rasti tragjik ka ndodhë, tjetrin te partia LVV. (Krahasimi i sotëm i të ndjerit Astrit Deharit me Nolin e me Demaçin nga ana e Albin Kurti është manipulim politik absurd, si një tentativë për të mjegulluar a fshehur diçka.) Ndërsa në tërë këtë rrëmujë, prokuroria me të dy sytë duhet të shikojë tërë kohën edhe tek vetja. Në këtë pikë ku është çështja, përgjegjësia është e saj. (Ky mund të jetë teksti që e kam shkruar më pa dëshirë ndonjëherë.)