Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kanë kujtuar veprimtarin Adem Demaçi në 87 vjetorin e lindjes së tij.
Kryeministri Kurti ka vizituar familjen e Demaçit, ku edhe ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi ka ditëlindjen.
“Vizituam familjet e tij përplot kujtime mallëngjyese e udhërrëfyese. Ai është e vërteta e shqiptarëve në raport me Serbinë. Kush jehon, rron edhe kur s'jeton”, ka shkruar ai.
Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar në Facebook se qëndrestari i papërsëritshëm i vendit tonë, Adem Demaçi, sot do të mbushte 87 vjet.
“Në datën e lindjes së tij, si shoqëri dhe si shtet, ndjehemi tej mase krenarë që ai jetoi dhe veproi mes nesh dhe për ne. Historia e përpjekjeve të popullit tonë për liri dhe pavarësi nuk do të ishte asnjëherë kaq e sukseseshme pa sakrificën, guximin dhe veprimtarinë e Bacës Adem. Prandaj, në këtë datë të rëndësishme që shënon lindjen e tij, kujtojmë dhe nderojmë jetën e Adem Demaçit - djaloshit që guxoi, burrit që nuk u mposht asnjëherë dhe plakut që vdiq i lirë”, ka shkruar ai.