Kurti deklarohet pas takimit trepalësh, tregon pse nuk u nënshkrua marrëveshja - Ja çka do të bëhet me asociacionin

Aktuale

Kurti deklarohet pas takimit trepalësh, tregon pse nuk u nënshkrua marrëveshja - Ja çka do të bëhet me asociacionin

Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 15:41 Përditësuar në ora: 18:33 më 27.02.2023
Albin Kurti

Borrell pret “qasje konstruktive” për propozimin evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve.

“Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter.

Kurti i relaksuar me dokumente para vetës

Është publikuar fotografia e parë nga takimi trepalësh në Bruksel.

Në fotografi shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me shumë dokumente para vetës, derisa Vuçiqi me duar bosh.

Ndryshe, sot në bazë të parashikimeve sot prietet të diskutohet lidhur me planin evropian dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, është thënë se pritet të hapen edhe cështje të reja nga të dyja palët, marr parasysh këtu edhe 6 kushtet e kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin.

Nis takimi trepalësh BE, Kurti, Vuçiq në Bruksel

Ka nisur takimi i përbashkët mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në Bruksel në prani të ndërmjetësve europianë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak, nga ora 15:00 kanë zhvilluar takime të ndara me dy udhëheqësit.

Në fillim u mbajt takimi me Kurti, pastaj me Vuçiqin.

Ndërkaq, pas këtij takimi të përbashkët pritet një konferencë për media nga kryediplomati i BE-së.

Për mbajtjen e takimit ka njoftuar edhe faqja zyrtare e BE-së.

Kush është eksperti i njohur britanik që po shoqëron Kurtin në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti sot është duke zhvilluar takimet në Bruksel me zyrtarët europianë, derisa pritet të fillojë edhe takimi i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Media mëson se Kurti në Bruksel po shoqërohet edhe nga profesorin britanik Marc Weller, i cili ishte këshilltar për Kosovën edhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.

Përveç kësaj, profesori Weller shërbeu si këshilltar i lartë ligjor në procesin e Vjenës të negociatave për statusin përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga OKB-ja në vitet 2006-2007. Më pas ai kontribuoi në hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe hartoi Ligjin për Mbrojtjen e Minoriteteve në Kosovë dhe Statutin e Këshillit Konsultativ të Komuniteteve.

Marc Weller është edhe autor i librit “Contested Statehood: Kosovo’s Struggle for Independence”.

Escobar arrin në Bruksel, nuk flet për pritshmëritë e takimeve

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ka komentuar për pritshmëritë e tij për takimet në Bruksel.

Escobar u pyet nga media për pritshmëritë e tij për takimet e sotme por i njëjti nuk është përgjigjur.

Edhe Vuçiq arrin për takim me Borrellin e Lajçakun, përfundon ai i Kurtit

Ka nisur tashmë edhe takimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e lartë të BE-së për dialogun.

Paraprakisht, Borrell dhe Lajçak patën një takim me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin.

Teksa pas tyre, pritet që në 17.15 të ketë takim trepalësh, ku përfshihen edhe pala kosovare dhe ajo serbe me përfaqësuesit e BE-së.

Bruksel: Marc Weller sërish pjesë e delegacionit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës tanimë së bashku me delagacionin e tij kanë mbërritur në Bruksel dhe kanë hyrë në ndërtesën ku pritet të mbahet takimi me zyrtarin e lartë të Bashkimi Evropian, Joseph Borrell.

Kurti tani më me delegacionin shqiptar kanë hyrë brenda dhe se shumë shpejt pritet të vie edhe pala serbe duke shtuar se krejt kjo po mundohet të bëhet fshehurazi nga mediat.

“Pak më parë në atë hymje hyri delegacioni i Kosovës në krye me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pritet që tani të mbërrij edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi. Gjithçka është duke shkuar pak a shumë fshehurazi që të mos bihet në kontakt me mediat. Mediat janë të shumta sot si dhe nga ato Kosova e Serbia por edhe nga ndërkombëtarët janë të intersuara, sa i takon mundësisë për arritjen e një marrëveshje evropiane, të shtyrë nga Berlini dhe Parisi. Një marrëveshje, akord me 11 pika që nuk përfshinë njohje reciproke por që mund të interpretohet si e tillë, si një njohje defacto nga ana e Kosovës. Kosova pra ka mbërritur me delegacionin e tyre, pritet edhe pala serbe tani të vij”, thuhej në raportim.

Në delegacionin e Kosovës në Bruksel do të jetë edhe Marc Weller i cili ishte në palën shqiptare për rastin në Gjykatën Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.

Kosovës si përforcim i është shtuar edhe profesori i njohur dhe njëri nga akterët kryesor për sa i takon procesit ne Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për pavarësinë, Marc Weller, i cili është duke e këshilluar palën kosovare. Pra Kosova është duke u këshilluar nga një zotëri i cili kur kishte marrur diçka në dorë të Kosovës në raport me Serbinë, e kishte nxjerrur Kosovën fituese.”, thuhej në raport.

Nis takimi i Kurtit me zyrtarët evropianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit pasditen e së hënës në Bruksel nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi, i cili nisi pak pas orës 15:00, po zhvillohet në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.

Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t'i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit - të gjashtin me radhë - si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Karakteristikat e propozimit evropian, sipas kryeministrit Kurti

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.

Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022, dhe nuk ka më nevojë të flitet për këtë përmbajtje.

Një version të përditësuar të planit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.

Po ashtu, bazuar në përvojën e së kaluarës, zyrtarët e BE-së mendojnë se, nëse do të ketë kërkesë për ndryshim të tekstit, atëherë gjithçka do të duhet të nisë nga fillimi dhe mundësitë për sukses janë të vogla.

Një zyrtar i lartë i BE-së, ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, nuk e kanë të lehtë të arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e marrëveshjes, por nuk kanë pasur zgjidhje më të mirë.

Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti që me këtë marrëveshje, sipas interpretimeve të BE-së, Serbia de facto e njeh Kosovën.

Presidenti serb besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë këtë propozim.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në plan parashihet edhe që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Mirëpo në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së, pranohet edhe obligimi për Asociacionin.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e këtij propozimi. Pra, me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni”, ka thënë të premten një zyrtar i Bashkimit Evropian.

Kjo kërkesë i është përsëritur Kurtit edhe në një letër të nisur të dielën nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Angazhimi i këtyre tri vendeve më të mëdha të BE-së, për të siguruar rezultat konkret në dialog, ka shtuar optimizmin në Bruksel për takimin e 27 shkurtit.

Edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se pret përparim të dukshëm në këtë takim.

Përveç kësaj, propozimi i BE-së është përkrahur edhe në mënyrë kolektive nga vendet e bllokut evropian në takimin e fundit të Këshillit Evropian.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat