Zotimi i Kosovës dhe Serbisë për pranimin e planit evropian po shihet me interesim të madh nga diplomatë amerikanë dhe evropianë.
Në ditën kur në Bruksel pritet t’i jepet drejtim këtij plani, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për ta rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.
Por, nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, ka ngritur sërish dilema rreth çështjes së krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Përmes një postimi në Twitter, ajo ka pyetur përfaqësuesit e Italisë, Gjermanisë dhe të Francës, pse po kërkojnë ta rrënjosin etno-territorializmin në Kosovë. Këtë pyetje ajo e ka parashtruar duke shpërndarë postimin e Jakub Bielamowicz, njohës i zhvillimeve politike për Ballkanin Perëndimor, i cili konsideron se letra e përbashkët e krerëve të Gjermanisë, Francës e Italisë, që i kërkon Kosovës ta themelojë Asociacionin “plotësisht dhe pakushte”, është presion për ndarjen de facto.
Ndërkaq, udhëheqësja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Britanisë së Madhe ka deklaruar javë më parë se ky vend nuk do të mbështesë formimin e Republikës Serbe në Kosovë.
Ndërsa, i ngarkuari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, planin evropian e sheh si shans për të dyja vendet.
Sarrazin tha për DW-në se është mundësia që Kosova dhe Serbia të tregojnë fleksibilitet dhe t`i pranojnë propozimet e paraqitura.
Sipas tij, ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit, në një situatë kritike ndërkombëtare.
Tutje, emisari gjerman ka deklaruar se pranimi i planit nuk do t`i zgjidhë të gjitha problemet, por hap një shteg pozitiv, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti.
Edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, tha se është koha për një marrëveshje që hap rrugën e pajtimit mes dy vendeve.
Ai përmes një postimi në Twitter shkroi se marrëveshja duhet të ketë edhe njohje dhe një të ardhme në paqe për të dyja vendet.
“Pas 15 vitesh të pavarësisë së Kosovës, pas 1 viti të telasheve të Serbisë me lirinë dhe paqen, që u zbuluan globalisht, është koha për një marrëveshje që të hapë rrugën për pajtim, njohje dhe një të ardhme në paqe dhe prosperitet”, ka shkruar Mandel.