Krasniqi: Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë

Aktuale

Krasniqi: Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë

Nga: M.L. Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 22:11
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës konsideron se paralajmërimet e tyre lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndodhën sonte në Bruksel.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.

“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.

Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë”, u shpreh i pari i PDK-së.

Ai tha se në marrëveshje nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, ka potencuar ai.

Sipas Krasniqit, krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë.

“Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat