Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se objektiv i marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë të diskutuar të hënën në Bruksel nuk është njohja reciproke, por normalizimi i marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.
Gjatë një konference për medie të martën, Stano është pyetur nga gazetarët nëse parashihet njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen e diskutuar të hënën në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, ku ka deklaruar se marrëveshja nuk e parasheh një gjë të tillë.
Ai ka thënë se BE është ndërmjetësues i dialogut derisa përfundimi i tij varet nga shtetet.
“Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa i takon përmbajtjes së normalizimit është e vendosur nga dy palët. Pra u takon atyre, BE-ja është ndërmjetës, ne nuk e diktojmë çfarë do të bëjnë dhe si, por po i ndihmojmë me maturinë evropiane dhe kompromisin evropian, por objektivi dhe mandati jonë është që të arrijnë marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizim të raporteve”, është shprehur Stano.