Demhasaj: Marrëveshja ndoshta është nënshkruar, por BE s’po e bën publike

Aktuale

Demhasaj: Marrëveshja ndoshta është nënshkruar, por BE s’po e bën publike

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 16:14
Pamje nga Brukseli

Gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë u pranua edhe zyrtarisht plani franko-gjerman.

I njëjti palëve u ishte dorëzuar në shtator të vitit të kaluar.

E, zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Por, nga ky takim nuk pati marrëveshje të nënshkruar.

Lidhur me këtë ka folur analisti politik, Arton Demhasaj.

Ai mendon se marrëveshja është arrit dhe kjo për faktin se siç thotë Demhasaj, vet shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Borrell tha që të dyja palët janë dakorduar që marrëveshja është në rregull edhe nuk ka nevojë më me u diskutua për këtë.

Madje, beson që marrëveshja edhe është nënshkruar, por se nuk është bërë publike.

“Kështu që mendoj që ajo marrëveshje është pranuar, madje ka mundësi që edhe është nënshkruar por thjesht vetëm nuk është publikuar nënshkrimi i saj sepse mund të nënshkruhet pastaj në një ceremoni të organizuar nga Bashkimi Evropian së bashku edhe planin e zbatimit sepse mendoj se marrëveshja si marrëveshje është pranua prej të dyja palëve. Tash problemi është ndoshta te çështja e zbatimit të kësaj marrëveshje. Unë mendoj që ajo marrëveshje është e pranuar dhe në një farë mënyrë fakti që kjo marrëveshje është publikua nga Bashkimi Evropian mbrëmë tregon që ajo marrëveshje tashmë është e kryer dhe e përfunduar. Nëse, kjo marrëveshje nuk kishte qenë e pranuar në një farë mënyrë e dakordume apo në një farë mënyrë e nënshkruar prej palëve Bashkimi Evropian nuk e kishte publikuar qysh se ka publikuar deri mbrëmë”, është shprehur Demhasaj.

Kurse, sa i përket çështjes së Asociacionit thotë se në momentin kur është pranuar plani franko-gjerman është pranuar edhe Asociacioni.

“Në momentin kur ti ke pranuar planin franko-gjerman dhe në atë plan një pikë flet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në Bruksel i bjen që e ke pranua Asociacionin”, ka thënë ai.

Por, thotë se duhet të bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kështu që shkurt e shqip, kryeministri Kurti e ka pranuar me e zbatua marrëveshjen që flet për Asociacionin dhe normalisht unë besoj që këtë marrëveshje të vitit 2013 dhe 2015 që flet për Asociacionin ka më bë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese sepse përndryshe nuk mundet me tejkalua atë vendim sepse ai vendim është obligativ për me u zbatu dhe nuk bjen në asnjë mënyrë për me tejkalua do të thotë që deri aty ka me shkua sepse përndryshe bë shkelje kushtetuese, pra edhe njëherë me pranimin e planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kryeministri Kurti ka pranuar edhe themelimin e Asociacionit”, ka thënë ndër të tjera Demhasaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat