Politologu Dritëro Arifi e ka quajtur plan të mirë, propozimin evropian për të cilin u dakorduan dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq.
Arifi këtë plan e ka quajtur vetëm fazë të parë të marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është një plan me dy faza, kjo është faza e parë. Sepse këtu nuk kërkohet njohja reciproke në mënyrë eksplicite as nga ShBA-ja dhe as nga BE-ja. Është dokument solid që ka vlera universale të shtetësisë së një vendi siç është Karta e OKB-së, sovraniteti, integriteti, simbolet e të gjitha këto. Në sytë e ndërkombëtarëve ky është një pranim de-fakto por i fuqishëm i njohjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Arifi.
Arifi ka thënë se ky plan hap dy dilema të vështira, Asociacionin dhe statusin e Kishës Ortodokse.
“Por nga ana tjetër hap dy dilema mjaft të vështira për Qeverinë. Është Asociacioni, sido që ta quajmë, por një vetëqeverisje do të ndodhë. Nëse jo Asociacion apo Zajednicë, njëfarë vetëqeverisje e komunave serbe do të ndodhë, deri diku e pavarur brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës dhe pika e dytë, statusi i kishave ortodokse”, ka shtuar ai.
Profesori i Shkencës Politike shprehet i bindur se me marrëveshjen finale, njohja reciproke do të ndodhë.
“Është një plan i përkohshëm, është plan i mirë por i përkohshëm në kuptimin që inicion normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i stabilizon ato në një masë shumë të madhe dhe hap rrugën për planin final i cili do ta ketë aty me siguri, jam i bindur edhe njohjen reciproke”, ka deklaruar ai.