Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA nuk do ta mbështesë një Asociacion që mund t’i ngjajë Republikës Srpska.
Ndërsa ka listuar përfitimet e Kosovës nga marrëveshja me Serbinë, bazuar në planin franko-gjerman.
Ai tha se në këtë plan, ka një sërë kriteresh që Shtetet e Bashkuara mendojnë se janë shumë në interes të Kosovës.
“Referenca për paprekshmërinë e kufijve, respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen e pakicave kombëtare, pajtimin për të zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, zotimet se palët do t’i njohin dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare”, tha ai.
Hovenier tregoi se këtu përfshihen pasaportat, diplomat, targat e veturave, vulat doganore, që do të udhëhiqen nga parimet, siç janë sovraniteti dhe barazia e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta për vetëvendosje, mbrojtja e të drejtave të njeriut, mosmarrëveshjet do të zgjidhen me mjete paqësore, e jo përmes kërcënimeve apo përdorimit të forcës.
Gjithashtu, diplomatin amerikan theksoi “ShBA-ja sigurisht është në këtë klub – që do të krijojë një paketë të veçantë investimi dhe mbështetjeje financiare për projektet e përbashkëta në zhvillim ekonomik, lidhje, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kryesore”.