Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, Skender Hyseni ka folur edhe për Asociacionin.
Hyseni tha se rreziku është që Kurti është pajtuar të zbatojë një variant të keq të Asociacionit.
“Nëse asociacioni zbatohet në pajtim me nënshkrimet e 2013 dhe 2015, si dhe në pajtim me sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk mund të shihet si problem, por ka rrezik që Kurti është pajtuar të zbatojë një variant shumë më të keq të Asociacionit”, tha ai.
I pyetur se në rast se formohet Asociacioni, a ka rrezik dhe “ushtrimi i kontrollit’ në disa pasuri të Kosovës, Hyseni tha se pasuritë e vendit nuk mund të kontrollohen.
“Pasuritë e Kosovës janë të Kosovës dhe ato nuk mund të vihen nën kontroll të komunave apo lidhjes së komunave”, deklaroi Hyseni.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme tha se plani franko-gjerman nuk duhej të refuzohej.
Hyseni deklaroi se synim i këtij plani është parandalimi i ndonjë konflikti në Ballkan.
“Nuk do lëshohem në cilësinë e planit i cili synim kryesor ka parandalimin e përshkallëzimit të situatës apo ndonjë konflikti në Ballkan. Si i tillë ky plan nuk kishte si të refuzohej dhe nuk duhej të refuzohej. Gjithsesi ka disa pika në plan që mund të jenë problematike, por për fat të keq tani plani nuk besoj të mund të modifikohet, thotë Hyseni.