Mes akuzave dhe ‘përplasjeve’, mbyllet seanca në Kuvend - Kurti ua bën të qartë deputetëve: ‘Zajednica’ nuk kalon

Aktuale

Mes akuzave dhe ‘përplasjeve’, mbyllet seanca në Kuvend - Kurti ua bën të qartë deputetëve: ‘Zajednica’ nuk kalon

Më: 2 mars 2023 Në ora: 22:39 Përditësuar në ora: 23:38 më 02.03.2023
Kuvendi i Kosovës

Hoxhaj i PDK-së: Kërkesa në planin e BE-së për kapërcimin e të kaluarës, e barazon agresorin me viktimën

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se paragrafi në propozimin e BE-së që kërkon kapërcimin e të kaluarës, e barazon agresorin me viktimën.

Nga foltorja e kuvendit, ai e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti nëse e ka ndërmend që të ushtrojë padi për gjenocid ndaj Serbisë.

“Në fund të ditës ka të bëjë me shqetësimin se a po ruhet funksionaliteti i shtetit të Kosovës dhe a mbrohen interesat strategjike të Kosovës?”.

“Palët kontaktuese përmendet në hyrje të tekstit, duhet te ketë qartësi se çka po nënkuptohet me palët?”

“Kurti duhet ta sqarojë se a e ka ndërmend të bëjë padi për gjenocid?”.

“Paragrafi për të kapërcyer trashëgiminë e të kaluarës, e barazon Serbinë me Kosovën”.

Deliu – Kodra, kryeministrit Kurtit: Betejën më të madhe e ke me veten opozitar

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, është shprehur se kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka një betejë me veten sa ishte në opozitë.

Deliu – Kodra tha se marrëveshja mbi rrugën e normalizimit të raporteve në mes Kosovës e Serbisë, është një marrëveshje që sipas saj e shpërfaq tërë karrierën politike të kryeministrit Kurti.

“Nga premtimi i kryeministrit që nuk do të shkojë në dialog me Serbinë pa kërkuar falje për të gjitha krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe pa kthyer edhe të pagjeturin e fundit, kryeministri Kurti përfundon që në preambulën e kësaj marrëveshjeje t’i amnistojë krejt këto krime që ka folur për vite të tëra. Pra, t’i fal ato”, është shprehur Deliu – Kodra.

Tutje, Deliu – Kodra iu drejtua Kurtit se ka ndërruar qëndrim, nga kërkesa për marrëveshje finale, në marrëveshje të përkohshme e me Asociacion në qendër.

“Për të vazhduar me nenin më skandaloz të kësaj marrëveshjeje, që është neni 7, që ka një pajtim për një nivel të ri pushtetesh, ndërkohë theks i vecantë i jepet vetmenaxhimit të komunitetit serb, mbështetje financiare nga Serbia dhe kanal të drejtpërdrejt komunikimi për komunitetin serb me qeverinë e Kosovës. Pra, është përtej Asociacionit dhe marrëveshja mund t’i hapë shumë rrugë problematike Kosovës”, është shprehur ajo.

Lekaj ka një pyetje për Kurtin: A do ta pranoni Zajednicën?

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i është drejtuar sot kryeministrit Albin Kurti, duke e pyetur se a do të pranojë që ta themelojë Zajednicën të cilën aq fort e ka kundërshtuar.

Ai i ka kërkuar Kurtit që të ketë kujdes në dialog me Serbinë.

“Kryeministër e di që dialogun me Serbinë dhe Zajednicën nuk e ke pranuar asnjëherë. E di që çdo herë jeni thirrur në dialog me serbët lokalë dhe jo të ulesh në tavolinë me Vuçiqin. Ja sot ku kemi ardhur kur e kanë hequr në dialog fjalën njohje”.

“Nëse e keni kundërshtuar fuqishëm Zajendnicën, a do ta pranoni atë? A do ta pranoni statusin e kishave ortodokse serbe?”.

Selmanaj, Kurtit: Zajednica, zajednica, tap kryeministër e lëshoi bajrakun

Po vazhdon raportimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në seancën ku po diskutohet Plani Evropian, i rënë dakord në Bruksel më 27 shkurt pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Selmanaj në fjalimin e tij tha se personalisht nuk i beson Kurtit.

“Unë personalisht nuk i besoj këtij kryeministri. Pse nuk i besoj këtij kryeministri? Sepse më datën 2 shkurt, ky kryeministër na ka lexuar gjashtë kushte. Kushti i parë ka thënë: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kushti i dytë është se nuk mund të jetë monoetnik dhe duhet ta ndërroj emrin. Nën 3 duhe të ketë reciprocitet të të drejtave, çfarëdo të drejta për serbet në Kosovë duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Serbi. Duhet të shuhen strukturat paralele dhe të dorëzohen armët dhe Vuçiq duhet të tërheq letrat mosnjohëse”, tha Selmanaj në fjalimin e tij në kuvend.

Ai ia përmendi një shprehje shefit të Qeverisë që e kishte përdorur më herët për demarkacionin “Çakorri, Zhlepi, Zhlepi, Çakorri, tap karrika e lëshoj bajrakun”, i kishte thënë Kurti-Haradinajt.

Ndërsa deputeti i LDK-së i tha atij:

“Zajednica, zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun”, tha Selmanaj.

Konjufca ka një lutje për Kokajn: Fol me terma më të lehtë se pak vonë

Deputetët në Kuvend po vazhdojnë seancën për dialogun me Serbinë. Në seancën e natës, deputeti Jahja Kokaj ka kërkuar nga të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe të bëhet më e mira për këtë çështje. Ai derisa ka folur për Asociacionin po ashtu u shpreh se ‘Kur e hedh budallai një gur në ujë, 1 mijë të mençur nuk mund ta nxjerrin’.

Në seancën plenare të qeshura ka shkaktuar edhe fjala e kryeparlamentarit, Glauk Konjufcës, kur kërkoi nga Kokaj që të flas me terma më “të lehtë”. 

Koka: Kur budallai e hedh një gur në ujë, 1 mijë të mençur nuk mund ta nxjerrin

“Që të japim mendime, gjithkush me aftësitë e veta intelektualo-politike dhe që të vijmë te ajo më e mira. Unë nuk flas me fjalën e thashethemeve, sepse po të kisha fol do të kisha thënë, kur është fjala për asociacionin e kisha përmend e kisha përmend vitin 2013 dhe vitin 2015 dhe e kisha përmend ‘kur e hedh budallai një gur në ujë, 1 mijë të mençur nuk mund ta nxjerrin’. Unë nuk po e them atë. Por, po dua të them që të mblidhemi të gjithë si një dhe të nxjerrim atë që është më e mira”, ka thënë Kokaj. 

Ndërsa Konjufca tha se deputetët po i ankohen për fjalimin e Kokajt. 

Konjufca: Profesor nëse mundesh me terma më të lehtë se pak vonë

“Profesor nëse mundesh në terma më të lehtë se pak vonë, deputetët po më ankohen”, ka thënë Konjufca.

Deputeti i VV-së e quan engjëll Escobarin

Në vazhdimin e seancës plenare që po zhvillohet në këto orë të vona, deputeti i VV’së, Jahja Koka, derisa po fliste për planin franko-gjerman, e quajti engjëll, emisarin special të SHBA’ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Koka thotë se plani franko-gjerman nuk do të jetë i keq, por do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Kjo pikë e këtij momenti të këtij plani franko gjerman është një dritë në tunel, këtë poe them jo vetëm pse Evropa e ka marrë me seriozitet, por engjëlli Escobar atje, pra përfaqësuesi amerikan ishte atje i cili e përcillte këtë situatë. Ma merr menja që kjo nuk do të jetë diçka e keqe, por krucial, por do të përfundojë në mënyrën që duhet të përfundojë”.

Tutje, Koka thotë se plani franko-gjerman i ka dy karakteristika, e para thotë se është që nuk mund të diskutohet shumë për strukturën e tij dhe e dyta sipas tij është ‘merre ose lëre’.

“Ky është plan shumë i rëndësishëm, që i ka dy karakteristika, e para që nuk mund të diskutohet fortë për strukturën e tij, dhe e dyta është merre ose le, këto janë dy fakte që po i harroni. Pra duhet të organizohemi të gjithë si një, pozitë, opozitë, të gjithë shqiptarët, e t’i themi Serbisë njëherë e përgjithmonë JO. Edhe Evropa e sheh që ne e meritojmë lirinë”.

Zemaj: Kurti kishte instaluar logjikën se kushdo që negocion me Serbinë është tradhtar, sot negocion vetë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, si opozitar dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kishin instaluar logjikën se kushdo që negocion me Serbinë është tradhtar.

Zemaj, në seancën e Kuvendi që po mbahet për debatin mbi dialogun, thotë se qytetarët nuk dinë më se kujt t’i besojnë, Kurtit si opozitar apo si pushtetar.

“Është mirë që para se të merresh e të gjykosh gabimet e të tjerëve t’i shohësh gabimet tua zotëri Kurti, Ahtisarin e trashëgove ndërsa plusin e shtove tash me marrëveshjen e fundit. Pakoja e Ahtisarit e bëri Kosovën ndërsa plusin e shtove. U bëre i padrejtë për vetën dhe për vendin, mos të harrojmë se procesi i dialogut që nisi vite me parë me ndërmjetësimin e ndërkombëtareve kishte për qëllim normalizimin e raporteve me Serbinë ndërsa gjithçka refuzohej nga Kurti si opozitar dhe tash edhe si kryeministër”.

“Kryeministri Kurti dhe VV-ja kishin instaluar logjikën se kushdo që negocion me Serbinë është tradhtar, cilit Albin t’i besojmë opozitarit apo kryeministrit – që e pranoji marrëveshjen me lëshime të mëdha ndërsa albini kundërshtues i së kaluarës bënte protesta e sot me deklarata e fsheh dështimin e tij” tha Zemaj.

Zemaj, mes tjerash, tha se Serbia nuk kërkoi falje as për luftën e as nuk ktheu të pagjeturit, sipas tij Kurti duhet t’ju kërkojë falje qytetarëve që negocioi pa kërkuar falje Serbia.

Deputetët natën vonë kërkojnë dritë për dialogun

Me 15 minuta vonesë ka nisur seanca e thirrur për raportim të kryeministrit Albin Kurti për dialogun me Serbinë në Bruksel.

Raportimi i Kurtit për bisedimet që pati me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 27 shkurt është iniciuar nga opozita, derisa ai shprehu gatishmërinë që kjo të ndodhë pikërisht në mbrëmje vonë.

Arsyetimi i tij ka qenë se ka pasur agjendë të ngjeshur gjatë ditës.

Ka qenë Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila që ka thënë se deputetët e këtij subjekti nuk do të bëhen pjesë e diskutimeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat