Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan një takim të përbashkët trepalësh më 27 shkurt në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut.
Në atë takim është diskutuar mbi propozimin evropian. Të dyja palët u deklaruan pro tij, ndonëse për të njëjtin nuk pati nënshkrim.
Ndër të tjera, në atë marrëveshje thuhet se palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në organizata ndërkombëtare.
Por, duket se Vuçiqi nuk e ka marrë seriozisht këtë dokument.
Në një fjalim të tijin pas takimit të Brukselit, ai tha se Serbia nuk do ta lejojë kurrë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së.
Për këtë çështje, media ka kërkuar opinion nga shteti sponsorizues i propozimit evropian, Gjermania, nëse kjo deklaratë e Vuçiqit përbën shkelje të marrëveshjes.
Në një përgjigje me shkrim nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se palët duhet t’u përmbahen përkushtimeve të qarta të propozimit, në veçanti nenit për organizatat ndërkombëtare.
“Ishte e rëndësishme që të dyja palët erdhën në Bruksel të hënën dhe ranë dakord në parim për propozimin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen aktivisht në procesin e mëtejshëm. Kjo përfshin respektimin e angazhimeve të tyre të qarta për të gjitha aspektet e propozimit, duke përfshirë ato në lidhje me organizatat ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen gjermane.