“Kapërcimi/tejkalimi i trashëgimisë së të kaluarës” ishte togfjalëshi më i problematizuar i propozimit evropian, me pushtetin që pretendonte se ekzistonte një togfjalësh tjetër në gjermanisht që i bënte më shumë drejtësi asaj që mëtohej të shprehej. E Sibel Halimi nga LDK-ja, po e konsideron si padrejtësi të madhe një gjë të tillë.
Zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së LDK-së ka shkruar disa fjalë me një epigraf: “A po ndryshohet narrativa për të kaluarën tonë?!”
Ajo problematizon pikërisht tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës, që sipas saj zëvendëson “ballafaqimin me të kaluarën”.
““Ballafaqimi me të kaluarën” është zëvendësuar me “Tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës”” – shkruan znj. Halimi.
“Sikurse ballafaqimi që për një kohë na u përbrendësua në mënyrën tonë të të menduarit, tani pikërisht nga një situatë e re politike të krijuar në vend, na kërkohet tejkalimi i të gjitha vuajtjeve me idenë “e shkuara e harruara”” – vazhdon tutje ajo.
Fare në fund ajo shtron pyetjen nëse mund të ketë (sic) paqe të padrejtë.
Komenti i plotë:
A po ndryshohet narrativa për të kaluarën tonë?!
Një prej definimeve qenësore që e karakterizoi periudhën e pas luftës në Kosovë ishte “Ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo sintagmë që afishohej kudo e kumbonte gjithandej, ishte përpjekje për të injektuar e rikthyer idenë e paqes dhe bashkëjetesës në vend.
Nëpërmjet rrëfimit të përjetimeve tona për të shkuarën, si shoqëri e sapo dalë nga lufta, ky definim shtroi rrugën se si t`i qasemi të kaluarës sonë me drejtësi tranzicionale.
Gjetja e së vërtetës, njohja zyrtare e së kaluarës, rikrijimi i drejtësisë dhe riformësimi i marrëdhënieve shoqërore përbënte frymën e këtij ballafaqimi. U krijuan komisione dhe u hartuan udhëzime për akterët politik, se si të trajtojmë e flasim në diskursin publik për të mbijetuarit/at e luftës, viktimat e torturës, dhunën seksuale si armë lufte, trajtimit çnjerëzor, me një fjalë të kaluarën tonë të dhimbshme.
Për 23 vjet, nga ky ballafaqim me veten, në dimensionin e së kaluarës tonë si shoqëri tani do të ballafaqohemi më një definim të ri të të menduarit dhe vepruarit; “Tejkalimi i trashëgimisë të së kaluarës”. Premisën e definimi të ri për të krijuar një marrëdhënie të re shoqërore e paqësore në vend, e kemi në preambulën e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ballafaqimi me të kaluarën” është zëvendësuar me “Tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës”.
Nëse rikrijimi i drejtësisë dhe gjetja e së vërtetës ishte thelbi i ballafaqimit me të kaluarën, koncepti i ri në preambulën e marrëveshjes nënkupton tejkalimin. Rrjedhimisht, duket të jetë e qartë që ne jemi të ‘detyruar’ që kapitullin e të kaluarës sonë ta mbyllin njëherë e përgjithmonë, e mbase për shoqërinë tonë nuk do të mund të mbyllet e tejkalohet aq lehtësisht.
Ne mund të bëjmë politikë me të kaluarën e të tashmen, por nuk mund të ndërtojmë të ardhmen duke improvizuar me definime të reja e mendësi të vjetra; duke krijuar koncepte të reja, se si t`u qasemi përjetimeve tona jo shumë të largët e të eksperimentojmë pozicione të ndryshme.
Ballafaqim apo tejkalim, nuk do të ndryshojë dhembjen e familjarëve për të pagjeturit, humbjen e me të dashuarve e plagën e të mbijetuarave të luftës, porse pa drejtësi si satisfsksion për viktimat, nuk mund të rivendoset paqja e mirëfilltë.
Sikurse ballafaqimi që për një kohë na u përbrendësua në mënyrën tonë të të menduarit, tani pikërisht nga një situatë e re politike të krijuar në vend, na kërkohet tejkalimi i të gjitha vuajtjeve me idenë “e shkuara e harruara”.
Mirëpo, si do që të jetë menduar ky koncept i ri, e shkuara do të jetë hije që do t`na përcjellë ndër breza.
E nëse e gjitha është menduar vetëm më qëllim të krijimit të paqes, shtrohet pyetja, a mund të ketë paqe të padrejtë?
Ndaj, “Tejkalimi i trashëgimisë të së kaluarës” nuk duhet të trajtohej vetëm si dokument për nënshkrim, por nxit dhe ballafaqimin tonë me qeverisjen dy vjeçare, që për pragmatizëm popullist e humb rastin për ta fituar të vërtetën tonë!