“Ti çka i ki punët? Mirë tha, kthim s’ka, kthim mbrapa s’ka”.
Këto ishin fjalët që Luani i kujton nga komandanti Adem Jashari, pak kohë para se të ndodhte rrethimi i familjes së Ademit, nga forcat serbe.
Në momentin që e kishin vërejtur që ka lëvizje tek oborri i komandantit, vëllai i tij Faiku, ishte nisur për t’i dal në ndihmë kësaj familje.
Luani, aso kohe 16-vjeçar, tregon momentet kur Faiku doli nga shtëpia.
“Në mëngjes është diktuar që po qitet rrethi. Atëherë vëllai u çu prej këtu, e kam përcjell deri këtu së bashku me babën, ka dal, ka shkuar direkt atje, te shpija e Shabanit. Edhe aty kanë filluar luftimet me epiqendër te Adem Jashari, edhe aty së bashku me ta deri në rënie ka bërë luftë. Roja shihej që është mbi shpi të Ademit, edhe është ditur që pikërisht epiqendra e sulmit do të jetë pikërisht oborri dhe familja e Ademit. Edhe atëherë aty ka shkuar që të ketë rezistencë më të madhe deri në vdekje”, tha Luan Jashari.
Tutje, ai rrëfen rastin në të cilin së bashku me disa pjesëtarë të familjes së tij ishin plagosur.
“Me datën 5 mars, kah mesi i ditës, është sulmuar këtu, sepse shtëpitë janë kanë të rrethuara me tanke. Edhe pas sulmeve, o ka hi flaka çatisë, edhe në mesin e atyre plumbave jemi plagosur tre veta këtu në shtëpi, unë me dy motrat edhe një kushëri më poshtë, Riadi që ka qenë i plagosur rëndë”, tha ai.
Forcat serbe rrethuan nga 5 deri me 7 mars të vitit 1998, shtëpinë e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekaz.
Aty forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.