Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka ka thënë se rregullimi për çmimin e barnave nga Qeveria e Kosovës është duke ju penguar grupeve të interesit që janë pasuar duke shfrytëzuar ato.
Manxhuka përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këta 20-vjeçare që sipas tij kanë shkatërruar shëndetësinë publike, tani shfaqen më të mençur se vendet e avancuara të BE-së.
“Një rregullim që deri tash nuk e ka pasur vetëm Kosova e Bjellorusia duket se po ju pengon grupeve të interesit që janë pasuruar duke shfrytëzuar gjënë më esenciale të një personi të sëmurë, barnat. Paskan filluar të tregojnë se si çmimet e unifikuara dhe të përballueshme për qytetarët nuk po bëkan. Këta të 20 vjeçarit që shkatërruan shëndetësinë publike tash na shfaqen edhe më të mençur se vendet me të avansuara të BE-së e që kanë të njëjtat praktika.” – ka shkruar në Facebook zëdhënësi i VV-së.
Manxhuka tutje ka thënë se kjo gjë sikurse edhe shumë pasurime të tjera në kurriz të qytetarëve po marrin fund.
“Në emër të mosfunksionimit të kësaj iniciative këto grupe duan të fshehin funksionimin e vërtetë të pasurimit me barna dhe me sëmundjet e njerëzve. Mirëpo, kjo gjë, sikurse edhe shumë pasurime të tjera në kurriz të qytetarëve po marrin fund.” – ka përfunduar Manxhuka.